Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Lajçak pas Kosovës, viziton Serbinë – pritet të takohet me Vuçiqin

Gazeta10
19 June 2024 - 8:21

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas qëndrimit në Kosovë, të mërkurën do të udhëtojë për në Serbi, ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë njoftuar mediat serbe.

Takimi me Lajçak e Vuçiq do të nis rreth orës 18:00.

Lajçak, ka thënë të martën se dy vendet duhet të bëjnë hapa për të zbatuar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, të arritur në shkurt të vitit të kaluar, përcjell Reporteri.net.

“Vizita e sotme në Kosovës dhe nesër në Beograd, është për të parë se si të gjejmë zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, çfarë hapa konkretë duhet të marrim. Dhe u dakorduam që duhet të përshpejtojmë zbatimin e marrëveshjes”, u shpreh Lajçaku.

Lajçak ka thënë edhe se duhet të hiqen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Tema tjetër që biseduan mes vete, sipas Lajçakut, ishte edhe “Plani i rritjes”.

“Ne kemi një marrëveshje, duhet të përshpejtojmë zbatimin e saj. Kjo ka qenë tema e parë që kemi diskutuar me Bislimin, dhe pika e dytë për Planin e BE-së për Rritje Ekonomike”.

Plani i BE-së parasheh ndarjen e një fondi prej gjashtë miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të këtij rajoni.

Lajçak e ka thënë përmendur se për të fituar qasje në këto fonde, Kosova dhe Serbia e kanë parakusht angazhimin konstruktiv në dialogun e Brukselit, dhe si personi përgjegjës për të bërë vlerësimin për përparimin në dialog, ai ka thënë se e ka parë të nevojshëm një takim me zyrtarët në Kosovë dhe Serbi për hapat që duhet të marrin palët.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.