
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefen e re të UNICEF-it për Kosovë, Veronika Vashchenko, të cilën e ka përgëzuar për detyrën, duke uruar për vazhdimin e bashkëpunimit konstruktiv.
Në takim është diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit dhe rëndësinë e përpjekjeve për ta përmirësuar mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve në Kosovë, njofton Presidenca.
Osmani potencoi se partneriteti me UNICEF-in është i rëndësishëm për zbatimin e programeve dhe politikave që mbështesin zhvillimin dhe mbrojtjen gjithëpërfshirëse të fëmijëve.
Në këtë kontekst, Osmani vuri në dukje përpjekjet për qasjen e fëmijëve në arsim cilësor dhe fuqizimin e mirëqenies së tyre.