
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka qenë e ftuara e radhës të enjten në “Politiko” me Kushtrim Sadikun, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, përgjimet, kritikat ndaj qeverisë e deri tek zgjedhjet në Kosovë.
Gërvalla ka komentuar deklarimet e ndihmëssekretarit amerikan të shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i cili teksa ka folur për raportet mes qeverisë dhe SHBA-ve, ka thënë se “ka keqkuptime, por që këto ndodhin mes miqve”.
Gërvalla në “Politiko” ka thënë se O’Brien ka shprehur simpati e mbështetje ndaj shtetit të Kosovës.
“Është në një linjë edhe me bisedat e mëparshme që kemi pasur, siç e dini që nga emërimi i zotit O’Brien, kemi pasur biseda të vazhdueshme qoftë me presidenten e vendit apo kryeministrin. Edhe intervista e tij këtu ishte në të njëjtën linjë, duke shprehur simpati për qytetarët e Kosovës, duke shprehur mbështetje për Republikën e Kosovës, duke i cilësuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së si speciale dhe të veçanta..”, tha Gërvalla.
E pyetur për deklarimet e “ashpra” të Hovennier, Gërvalla ka thënë se ambasadorin amerikan e sheh poashtu si mik të Kosovës, ndërsa për mesazhet e tij për Kosovën nuk ka përjashtuar mundësinë se ato mund edhe të zmadhohen ndonjëherë.
“Ne nuk mund ta fshehim fakti që me Serbinë nuk është duke u lehtësuar komunikimi, por për shkak se Vuçiqi po humbet terren në Serbi, detyrohet ta ashpërsojë gjuhën në raport me Kosovën”, ka thënë ajo.
Ndërkaq sa i përket dialogut, Gërvalla nuk ka kursyer kritikat ndaj emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, për të cilin ka thënë se shumë herë ia ka mbajtur anën Serbisë.
“Shumë shpesh ka qenë i njëanshëm dhe ia ka mbajtur anën Serbisë dhe shumë shpesh propozimet që i kanë bërë kanë qenë të destinuara të dështojnë sepse nuk i kanë respektuar realitet”, ka thënë Gërvalla në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Në të njëjtën kohë ministrja Gërvalla ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian për mosreagimin për sulmin në Banjskë të Zveçanit, duke e quajtur si dështim total, deri përmendi edhe sanksionet e vendosura ndaj Kosovës.
“Është një absurditet i jashtëzakonshëm, mos harroni momentin kur janë marrë ato masa, ato janë marrë kur nga Serbia në bashkëpunim me strukturat e dhunshme brenda Kosovës janë sulmuar ushtarët e NATO-së dhe janë lënduar 93 prej tyre. Atëherë është ndëshkuar Kosova për diçka që ka ardhur nga Serbia”, ka thënë Gërvalla.
E pyetur për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Gërvalla ka theksuar se kanë ofruar që të punojnë në një dokument, i cili do të respektojë nevojat e qytetarëve në veri, porse theksoi se për këtë nuk kanë gjetur gatishmëri.
“Kemi ofruar që të punojmë vetë në një dokument i cili do të respektonte jo ëndrrat e Vuçiqit, por nevojat e qytetarëve në veri”, ka thënë Gërvalla.
Në ndërkohë, Gërvalla në “Politiko” ka komentuar edhe bisedat mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës dhe ish-deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq.
Gërvalla e ka pranuar se një bisedë e mëhershme në mes të Kusari-Lilës dhe Simiq është bërë, porse ka thënë se shefja e VV-së asokohe është vënë para faktit të kryer.
Megjithatë, bisedën e fundit në mes të Kusari-Lilës dhe Simiq, Gërvalla e ka mohuar.
“Po flasim për dy biseda të ndryshme. E para të cilën zonja Kusari e konfirmon, thotë ka ndodhur më ka vënë para faktit të kryer. Ajo që ka dalë këto ditë nuk përputhet me të parën dhe vendoset në një kontekst krejtësisht tjetër”, ka thënë Gërvalla.
E për dyshimet për vepra penale ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, ministrja e Punëve të Jashtme ka thënë se nuk ka marrë asnjë kërkesë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmanin për shkarkimin e ambasadorit Berisha.
Gërvalla ka thënë se ambasadori Berisha nuk mund të shkarkohet për një lajm në medie.
“Nuk shkarkohet ambasadori për një lajm në media. Është papërgjegjësi totale”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka cilësuar se akuzat ndaj Berishajt janë spekulime që janë bërë në medie.
“Është spekulim total sepse kam angazhuar institucionet e tre shteteve dhe nuk ka asnjë fakt që i hedh përgjegjësinë ambasadorit Berisha”, ka thënë Gërvalla.
Tutje, Gërvalla ka hedhur kritika në drejtim të partive opozitare.
Për nënkryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ajo ka thënë thënë se “sa herë që e hapin gojën, e fundosin më thellë”.
Ndërsa për partitë e tjera opozitare, Gërvalla poashtu ka pasur një përgjigje ironike.
“Fjalën e fundit e ka më 9 shkurt, qytetari i Kosovës. Qytetari do ta bëjë bilancin…”, ka thënë Gërvalla në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Ajo ka theksuar se nuk ka asnjë dilemë që edhe po të kandidonin si parti e vetme do ta kalonin pragun.
Tutje, gazetari dhe moderator i emisionit “Politiko”, Kushtrim Sadiku në debat e sipër, e ky pyetur ministren Gërvalla se pse nuk ka njohje të reja që katër vjet.
Gërvalla është arsyetuar se njohjet nuk varen nga Kosova, por nga shumë konsalacione të tjera.
“Po shikoni edhe njohjet janë pjesë e çështjes së prioriteteve. Është shumë e rëndësishme që të marrim njohjet nga Bashkimi Evropian, por do të ishte naivitet të mendohet se ajo varet vetëm nga Kosova. Ajo nuk varet vetëm nga Kosova, por edhe nga shumë konsalacione të tjera”, ka thënë Gërvalla.
“I bie kjo që s’ka qenë prioritet me marrë njohje”, ka pyetur Sadiku.
Ministrja është arsyetuar se njohjet nuk ndikojnë në jetën e qytetarëve, porse sipas saj, më shumë ata fitojnë nga sundimi i ligjit në Kosovë sesa tri ose katër njohje nga vende të largëta, që nuk ndikojnë në jetën e tyre të përditshme.
Krejt në fund, Gërvalla është pyetur edhe për pretendimet se do të jetë dëshmitare e Gjykatës Speciale, ajo ka mohuar një deklarim të tillë, duke thënë se pretendime ka pasur plot, porse nuk ka deklaruar një gjë të tilë.
“Asnjëherë nuk kam deklaruar se do të jem dëshmitare në Gjykatën Speciale”, ka thënë Gërvalla.
Sipas saj, organet hetimore duhet të merren me pretendimet e rrema si ndaj saj ashtu edhe ndaj Kusari-Lilës. /Gazeta10/