
Shkollat në vend ende nuk janë furnizuar me dru, duke mos siguruar as alternativa tjera të ngrohjes. Kjo për shkak se komunat nuk kanë arritur marrëveshje me operatorët ekonomikë. Disa shkolla në Vushhtri thonë se kanë dru vetëm për rreth tri javë. Situatë e njëjtë është edhe në shumë komuna tjera, duke kërkuar një zgjidhje nga Ministria e Arsimit. Nga kjo ministri kanë thënë se s’kanë informacion, raporton Kanal10.
Raporti: Saranda Alshiqi, Kamera: Deurit Shaljani.
Dyert e shkollave u hapën pas pezullimit të grevës, por krizat në sektorin e arsimit, nuk u tejkaluan.
Shumë shkolla në Kosovë mund të detyrohen që brenda pak ditëve t’ua vendosin sërish drynin dyerve të tyre, për shkak të përballjes me të ftohtin.
Kjo për shkak se ato nuk kanë siguruar drutë për dimër, e as nuk kanë siguruar alternativa tjera të ngrohjes.
Si pasojë e situatës jo të mirë, Drejtoria Komunale e Arsimit në Vushtrri, u ka dërguar pyetje shkollave për të parë nga sa metra dru u kanë mbetur prej vitit të kaluar.
Drejtoresha e shkollës fillore “Naim Frashëri”, Valbona Drejta thotë se kanë vetëm pesë metra dru, të cilat nuk mjaftojnë më shumë se tri javë.
Drejtoresha e Arsimit në Vushtrri, Miradije Maloku fajin për këtë ia lë operatorëve ekonomikë, duke pasur ndryshime në furnizimin me dru.
Ajo thotë se deri më tani ende nuk kanë gjetur zgjidhje, derisa shton se shkollat në Vushtrri nuk kanë alternativë tjetër, përveç ngrohjes me dru.
Problem i njëjtë sikur në Vushtrri, është edhe në disa komuna të tjera.
Kryetari i Kolegjiumit për Arsim në Kosovë, Samir Shahini thotë se kanë bërë kërkesë në Ministrisë e Arsimit për t`u lejuar furnizimin me thëngjill.
Për këtë, Kanal10 ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit, por gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë, në një përgjigje të shkurt me shkrim, zëvendësministri, Dukagijn Pupovci, ka thënë se nuk ka informacion për një problem të tillë.
Situatë e njëjtë, është paraqitur edhe viteve të kaluara në disa shkolla të vendit./Gazeta10