
Analisti politik Kreshnik Çollaku, në emisionin “Gazeta” në Kanal10, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe vendimin e gjashtë deputetëve të LDK-së.
Çollaku e ka cilësuar këtë veprim si një “akt të paprecedent”, duke vlerësuar se ai mund t’i japë avantazh moral dhe politik kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, në zgjedhjet e ardhshme.
“Dhe mbi të gjitha, ky veprim, ky vendim, ky akt do të thuhej i paprecedent, i ka dhënë në njëfarë mënyre, ose në të gjitha mënyrat, një kartë morale, një bonus moral kundërshtarit të tij politik, Albin Kurtit”, ka deklaruar Çollaku.
Sipas tij, zhvillimet e fundit e kanë futur vendin në një situatë të re politike, e cila mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në garën elektorale.
Çollaku ka thënë se një situatë e tillë nuk do t’i shërbente as Kosovës dhe as LDK-së, ndërsa ka vlerësuar se zhvillimet aktuale mund të krijojnë një terren më të favorshëm për Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin.
“Kjo e detyron një spirale tjetër të zgjedhjeve, pikërisht në kohën kur do t’i duhej të gjithëve. Të gjithë po aludonin se i duhej VV-së, pra dhjetori, fundi i dhjetorit të këtij viti. E fundit gjë që i duhej LDK-së dhe e fundit gjë që i duhej Kosovës”, është shprehur ai.
Analisti ka ngritur shqetësimin edhe për mënyrën se si zhvillimet politike në Kosovë mund të perceptohen në arenën ndërkombëtare.
Sipas Çollakut, vazhdimi i krizës politike mund ta projektojë Kosovën si një shtet të brishtë në raport me partnerët ndërkombëtarë.
“Projekton në hapësirën ndërkombëtare si një vend i brishtë, si një republikë që po dëshiron…”, ka deklaruar Çollaku.
Në këtë kontekst, ai ka theksuar se vendimi i gjashtë deputetëve të LDK-së nuk duhet parë vetëm në aspektin e zhvillimeve të brendshme politike, por edhe për efektin që mund të ketë në perceptimin e elektoratit dhe në garën e ardhshme politike.
Sipas Çollakut, “akti i paprecedent” mund t’i ketë dhënë Albin Kurtit një “bonus moral”, të cilin ai mund ta shfrytëzojë në përballjen elektorale../Gazeta10