Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Shisnin e-cigare për të miturit pranë shkollave, gjobiten tri biznese

Gazeta10
02 September 2026 - 16:23

Me fillimin e vitit të ri shkollor, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka intensifikuar dhe po vazhdon aksionet e inspektimeve për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, veçanërisht në subjektet afariste në afërsi të institucioneve arsimore.

Sipas një njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), gjatë ditës së sotme, ekipet e IQMT-së kanë zhvilluar 18 inspektime në disa rajone të vendit, përkatësisht në Prishtinë, Prizren, Fushë-Kosovë, Rahovec, Istog, Shtime dhe Podujevë.

“Në kuadër të këtyre inspektimeve, inspektorët kanë urdhëruar largimin e menjëhershëm të cigareve elektronike nga shitja në dyqanet pranë shkollave. Për mosrespektim të dispozitave ligjore dhe urdhëresave të inspektorëve, IQMT ka shqiptuar 3 gjoba, ndërsa gjatë kontrolleve janë realizuar edhe 2 sekuestrime”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.

Ministria thotë se aksionet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për kontrollin e respektimit të dispozitave ligjore dhe mbrojtjen e të miturve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në të gjitha regjionet e vendit, me qëllim të sigurimit të një mjedisi sa më të sigurt për fëmijët dhe nxënësit.

MINTI u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht prindërve, që të raportojnë çdo rast të shitjes së cigareve elektronike te të miturit pranë institucioneve arsimore.

Ankesat dhe raportimet mund të paraqiten në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, përmes platformës Viber, në numrin: +383 46 311 000

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.