
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se qëndrimi i LDK-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe gjatë qeverisjes së tij, ka qenë që të respektohen obligimet e marra nga shteti i Kosovës.
Por megjithatë, Hoti ka theksuar se ky respektim i obiligimeve ka qenë në kuadër të marrëveshjes për njohje reciproke.
“Ne i respektojmë obligimet që i ka marrë shteti i Kosovës përmes qeverive paraprake, por të gjitha këto obligime duhet të zbatohen në kuadër të marrëveshjes për njohje reciproke brenda rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Ky lloj qëndrimi na ka mbrojtë në qeverinë tonë”, ka thënë Hoti.
Tutje, Hoti ka thënë se Kosova aktualisht gjendet në pikën më të ulët të marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Tani kemi ardh në pikën më të ulët të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kemi hy për fatin e keq të Kosovës në aranzhime që e kanë fut Kosovën në qorrsokak”, ka thënë ai në “Politiko” me Kushtrim Sadikun. /Gazeta10/