
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se janë angazhuar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjekte politike dhe kandidatët për deputetë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se pas përfundimit të votimit në vendvotime si dhe pas përfundimit të votimit jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike dhe përmes postës, i gjithë angazhimi i institucionit është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.”
Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, Elezi thotë se KQZ duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të verifikojë votat e subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime, numërimin e votave me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga votimi jashtë Kosovës.
“KQZ është e përkushtuar maksimalisht që të gjitha këto procese të kryhen në kohën më të shpejtë të mundur, por duke siguruar saktësi në evidentimin e vullnetit të çdo votuesi.”
Elezi shton se integriteti i votës nuk është cenuar dhe pavarëisht vonesave rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta.
“KQZ sqaron se integriteti i votës nuk është i cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre.”
Zëdhënësi i KQZ thotë se në qendrat komunale të numërimit në Obiliq, Lipjan e Partesh nuk ka pasur probleme, ndërsa në atë në Prishtinë janë paraqitur probleme të herëpashershme.