
Deputeti, Shaip Kamberi ka dhënë detaje rreth incidentit që ka ndodhur këtë të martë në Kuvendin e Serbisë.
Kamberi ka deklaruar se deputetët e opozitës lëshuan dy herë bomba tymi dhe aktivizuan mjete piroteknike në Kuvend, pasi deputetët e koalicionit qeverisës miratuan rendin e ditës, të cilin opozita e kundërshtoi.
“Një përplasje e pritur në mes të opozitës dhe pushtetit. Sot ishte paraparë një seancë e jashtëzakonshme, por kryetarja e Kuvendit propozoi 62 pika, për çka opozita nuk u pajtua”, ka thënë Kamberi.
Për deklarimet e Ana Bërnabiq ndaj Kosovës, Kamberi i ka cilësuar si gjuhë të papranueshme.
“Ajo (Bërnabiq) përdori gjuhë raciste sidomos ndaj shqiptarëve. Në ato rrethana ishte e pamundur të flasësh, duke pare se kishte zhurmë dhe ndërprerje. Nuk është hera e pare që në Parlamentin e Serbisë përdoret një gjuhë e tillë diskriminuese ndaj shqiptarëve. Ajo përdori një gjuhë e tillë e cila është e papranueshme”, ka thënë Kamberi në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Ndryshe, në Kuvendin e Serbisë ka shpërthyer kaos dhe dhunë e ashpër mes deputetëve. Aty deputetët e pozitës dhe opozitës janë përfshirë në një përleshje masive.
Pas situatës kaotike të krijuar në Parlamentin e Serbisë, ku opozita hodhi gaz lotsjellës, shishe, bombola me ngjyrë e vezë, Bërnabiq hodhi akuza tek mediat në Kosovë, për të cilat tha se i janë gëzuar kësaj ngjarjeje.
Duke mbajtur në duar titujt e printuar të mediave kosovare që po raportojnë për situatën në Parlamentin e Serbisë, ajo iu drejtua deputetëve të opozitës duke u thënë se janë bërë heronj të shqiptarëve, heronj të Albin Kurtit. /Gazeta10/