
Është gjetur i vdekur i riu i cili ishte raportuar i zhdukur tash e disa ditë në Malet e Pashtrikut.
Është gjetur i pajetë ditën e sotme 27-vjeçari Ajet Lleshi, i cili kishte humbur kontaktet me familjarët e tij që prej datës 6 prill në zonën malore të Pashtrikut në Has.
Ajeti kishte dalë në mëngjes ditën e diele për të mbledhur dru, por në orët e pasdites familja nuk ka mundur më ta kontaktojë.
Pavarësisht motit të keq dhe terrenit të vështirë, babai i tij Rizahu dhe tre xhaxhallarët u hodhën menjëherë në kërkim, duke u ndarë në drejtime të ndryshme për të rritur mundësitë e gjetjes.
Fatkeqësisht, përpjekjet e tyre nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Gjithashtu Policia dështoi në përpjekjet e saj për ta gjetur të gjallë të riun.
Gjatë kërkimeve të vazhdueshme, babai i tij është ndjerë keq për shkak të lodhjes dhe stresit, duke humbur ndjenjat – por fatmirësisht është ndihmuar nga të afërmit në kohë.
Në kërkim të tij ishin angazhuar shumë forca policore, banorë të zonës, por edhe ekipe të kërkim shpëtimit nga Kosova.
Po ashtu në operacionin e kërkimit ishin përdorur edhe dronë edhe helikopterë.