
Një debat i fort është zhvilluar në studion e emisionit “Politiko”, rreth koalicionit mes LDK-së dhe VV-së në Vushtrri dhe rolin e strukturave qendrore të Lidhja Demokratike e Kosovës.
Komentatori politik Blerim Gashi ka akuzuar nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, se kanë eliminuar politikisht kryetarin e degës në Vushtrri, për shkak të mosdurimit ndaj LVV-së dhe për afërsi të mundshme me PDK-në.
“A jeni në gjendje me e pranu këtu në studio z. Haziri, që i keni ‘hi gërshaj’ Xhafer Tahiri e keni ba ‘kurban’ për arsye të mosdurueshmërisë ndaj LVV-së dhe planeve të koalicioneve të mundshme e afërsisë që mund të keni në planin tuaj me PDK-në, nesër?”, deklaroi Gashi.
Në anën tjetër, moderatori i emisionit, Kushtrim Sadiku, ngriti një pyetje të drejtpërdrejtë në drejtim të Hazirit:
“Ndoshta Lumir Abdixhiku e ka ditë, z. Haziri, a ka mundësi?”
Këto deklarata pasojnë zhvillimet e fundit në Vushtrri, ku krijimi i koalicionit lokal ka nxitur debat të brendshëm brenda LDK-së dhe ka rihapur diskutimet për drejtimin politik të partisë në prag të zgjedhjeve të reja. /Gazeta10