
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim për pezullimin e punës së Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës për çdo vendimmarrje deri më 31 mars, në kuadër të zhvillimeve të fundit politike në vend.
Lidhur me këtë situatë ka folur kreu në dorëheqje i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Politiko.
Ai ka theksuar se një nga surprizat më të mëdha politike ka qenë ndarja mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
“Habia më e madhe është që ndodhi një ndarje mes Kurtit dhe Osmanit, sepse për shumë të tjerë ata janë parë si një ekip, por shumë palë të jashtme i kanë parë si të domosdoshëm për njëri-tjetrin,” ka thënë Haradinaj.
Ai shtoi se një pikë kthese ishte vendimi i Kurtit për të mos kandiduar Osmanin përsëri për presidente.
“Moskandidimi i presidentes Osmani ka qenë një lloj ndryshimi i madh, e pastaj edhe paaftësia e këtij parlamenti me e zgjedh presidentin e vendit në afatin kushtetues. Ndodhi diskreditimi dhe pastaj adresimi në Gjykatën Kushtetuese,” është shprehur Haradinaj.
Sipas tij, pavarësisht zhvillimeve të fundit, roli i Osmanit në suksesin e Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë i rëndësishëm.
“Znj. Osmani ka një investim të madh në suksesin e VV-së,” ka deklaruar Haradinaj.