
Një surprizë e vërtetë dhe një gëzim i papërshkrueshëm ka trokitur në derën e familjes Zhegrova.
Ylli i Kombëtares së Kosovës dhe sulmuesi i Juventusit, Edon Zhegrova, është bërë baba për herë të parë. Ndonëse vetë 26-vjeçari ka zgjedhur ta mbajë këtë pjesë të jetës tejet private dhe larg syrit të publikut duke mos dhënë asnjë sinjal në rrjetet sociale, ishte nëna e tij, Sanije Zhegrova, ajo që nuk e mbajti dot sekret gëzimin e madh të ardhjes në jetë të nipit.
Përmes një postimi emocionues në llogarinë e saj në Instagram, Sanija ndau një foto direkt nga inkubatori i spitalit “Città della Salute e della Scienza” në Torino, qyteti ku e gjithë familja është zhvendosur për të jetuar pranë Edonit që pas transferimit të tij të bujshëm tek bardhezinjtë vjeshtën e kaluar. “Sot zemra ime u mbush më shumë se kurrë. Fjalët nuk mund ta përshkruajnë dashurinë që tashmë ndiej për këtë mrekulli të vogël,” shkroi ajo sipër imazhit ku duket qartë kartela e bebes.
Nga detajet e publikuara nga gjyshja e re, mësohet se djali i porsalindur është pagëzuar me emrin e veçantë dhe mjaft domethënës, Mars, duke qenë se erdhi në jetë pikërisht sot, më 12 mars 2026.