Kontaktoni

info@gazeta10.com

Politiko

Visar Xani: Zgjedhja e presidentit po trajtohet si çështje bërthamore, jo si një president

Gazeta10
16 Prill 2026 - 22:02

Komentatori politik Visar Xani, në Politiko ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet procesi për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar atë si jo transparent dhe larg debatit publik.

Sipas Xanit, situata aktuale karakterizohet nga mungesa e propozimeve konkrete dhe nga një proces që po trajtohet me një fshehtësi të panevojshme.

“Kemi ardhur ku kemi ardhur: nuk ka propozime. Madje, të jepet përshtypja sikur po negociohet për çështje bërthamore, e jo për një president, i cili do të duhej të ishte temë debati publik. Do të duhej të jepeshin mendime dhe të gjendej një figurë më unifikuese,” tha Xani në Politiko.

Xani theksoi se, ndonëse përmenden kontakte mes subjekteve politike, nuk ka informacion të qartë për takime zyrtare apo komunikime transparente me publikun.

“Po thuhet se ka kontakte, por nuk dihet kur janë mbajtur takimet dhe nuk ka komunikata zyrtare. Me gjasë ka takime joformale, nëpër kafe, por jo takime zyrtare që do të duhej të ishin sinonim i transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve,” u shpreh ai.

Ai gjithashtu kundërshtoi idenë e “privatizimit” të postit të presidentit nga partitë politike, duke theksuar se procesi duhet të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës.

“Nuk është privatizim posti i presidentit që dikush ka fituar 51% e dikush 21% dhe të mbahet i fshehur procesi. Duhet një proces transparent dhe i hapur, ku secili subjekt politik paraqet emrat e vet, dhe nëse arrihet dakordim, të sigurohen votat dhe të vazhdohet tutje. Në të kundërtën, Kushtetuta e parasheh që të shkohet në zgjedhje,” deklaroi Xani.

Deklarata e plotë: https://youtu.be/OrQDYs3ePno

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.