
Komentatori politik Xhavit Drenori, në Politiko ka komentuar deklaratat e anëtarëve të partive opozitare rreth balancave të pushtetit dhe interpretimit të tyre, duke e lidhur çështjen me konceptin e “kapjes së shtetit” dhe legjitimitetin zgjedhor.
Drenori tha se në një situatë ku një subjekt politik, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje ka marrë rreth 50.11% të votave në zgjedhjet e vitit 2021, i është dhënë mundësia të udhëheqë dhe të ketë tri pozita kryesore institucionale. Sipas tij, kjo është interpretuar si pjesë e funksionimit demokratik dhe jo si kapje e shtetit, pasi burimi i pushtetit ka qenë vota e qytetarëve.
Ai shtoi se në një tjetër skenar të zgjedhjeve të fundit të vitit 2025, ku përsëri Lëvizja Vetëvendosje fitoi rreth 51.1% të votave, pra një fitore edhe më të thellë, situata do të duhej të kuptohej njësoj si legjitimitet i plotë demokratik, e jo kapje e shtetit. Megjithatë, sipas tij, edhe në këtë rast po lindin debate për ndarjen e posteve dhe balancimin e pushtetit.
“Kur qytetari të jep shumicën, ajo është legjitimitet. Edhe nëse nga tri pozita kryesore heq dorë nga njëra për hir të marrëveshjes politike, kjo nuk mund të interpretohet si kapje e shtetit,” tha Drenori në Politiko.
Ai shtoi se çështja e ndarjes së pushtetit pas zgjedhjeve mbetet temë e debatit politik në Kosovë, veçanërisht në raport me mënyrën se si kuptohet shumica zgjedhore dhe kompromisi politik mes partive.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/nXjrRiMpfrI