
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka përshëndetur rezolutën e paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së nga kongresmenët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e cila mbështet integrimin e Kosovës në NATO.
Në një reagim publik, Hoxhaj e cilësoi këtë zhvillim si një sinjal të qartë politik nga Uashingtoni për orientimin strategjik të Kosovës.
“Ky është një mesazh i qartë se e ardhmja e Kosovës është në aleancën euroatlantike,” u shpreh Hoxhaj.
Ai theksoi se vendi ka humbur kohë të çmuar në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, duke kritikuar mungesën e vullnetit politik në vitet e fundit.
“Cilado qeveri që do të kishte qenë në udhëheqje në këto 6 vitet e fundit, sot Kosova do të ishte anëtare e NATO-s,” deklaroi ai.
Sipas tij, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 7 qershorit, prioriteti kryesor i institucioneve të reja duhet të jetë integrimi në aleancën veri-atlantike.
“Qeveria e re duhet ta ketë prioritet absolut anëtarësimin në NATO,” përfundoi Hoxhaj.
Rezoluta e propozuar në Kongresin amerikan synon të rrisë mbështetjen politike për përfshirjen e Kosovës në strukturat euroatlantike, duke reflektuar një angazhim të vazhdueshëm të SHBA-së për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.