
Avokati Artan Çerkini, në Adresa tha se raportet e fundit lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara, kanë tejkaluar pritjet në konstatimin e shkeljeve procedurale dhe të të drejtave të të pandehurve.
Sipas tij, shumë nga gjetjet e raportit janë çështje që janë ngritur që në fillim të funksionimit të kësaj gjykate.
“Është shumë korrekte çka thatë ju zotri Ahmeti, sepse i kanë tejkaluar edhe ato pritje në lidhje me konstatimin e shkeljeve, ngase shumicën prej shkeljeve të adresuara në raport i kemi theksuar qysh nga fillimi i funksionimit të Dhomave të Specializuara. Qysh nga fillimi kemi thënë se procesi është stërzgjatur dhe se arsyet për vazhdimin e paraburgimit janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare,” tha Çerkini në Adresa.
Ai shtoi se mungon një mekanizëm i qartë llogaridhënieje ndaj shtetit të Kosovës, ndërsa procesi gjyqësor paraqet barrë jo proporcionale mbi të pandehurit.
“Është një barrë jo proporcionale mbi të pandehurit dhe u janë kufizuar të drejtat në mënyrë substanciale, përfshirë edhe vizitat familjare dhe të drejtën për privatësi,” theksoi ai.
Çerkini shtoi se raporti i adreson këto çështje në mënyrë të detajuar, duke u mbështetur në dokumente dhe procesverbale zyrtare të Dhomave të Specializuara.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/uS-4i-bNvdQ