
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi në Gazeta ka reaguar ashpër ndaj institucioneve të Kosovës, duke i akuzuar për neglizhencë ndaj punëtorëve të sektorit privat dhe rasteve të shumta të vdekjeve në vendet e punës.
Azemi deklaroi se drejtësia për rastet e humbjes së jetëve të punëtorëve po vonohet dhe se kjo, sipas tij, përbën padrejtësi.
“Rastet shkojnë në gjykatë dhe mund të zgjasin deri në 15 vite deri në përfundim. Drejtësia e vonuar është e barabartë me padrejtësi”, tha ai.
Sipas tij, institucionet shtetërore janë të informuara për gjendjen e rëndë të punëtorëve, por nuk po ndërmarrin veprime konkrete.
“Edhe kryeinspektori, edhe kryeministri, edhe ministri i Punës i kanë këto çështje në tavolinat e tyre, por prapë dalin para punëtorëve të sektorit privat dhe kërkojnë mbështetjen e tyre”, u shpreh Azemi.
Ai kritikoi ashpër deputetët dhe qeveritarët, duke thënë se nuk po merren me problemet reale të qytetarëve.
“Mos u qofshin hallall ato para që i merrni si parlamentarë e qeveritarë të Kosovës, sepse rininë më të mirë po e humbni për shkaqe jonjerëzore”, deklaroi kreu i Sindikatës së Sektorit Privat.
Azemi shtoi se në periudhën e fundit nuk është diskutuar seriozisht për vdekjet në vendet e punës apo për gjendjen sociale të punëtorëve të sektorit privat.
“Nuk është folur për rastet e vdekjeve e as për gjendjen e rëndë sociale të punëtorëve. E gjithë lufta është bërë se si të shkohet në parlament”, tha ai.
Ai theksoi se Sindikata nuk është kundër përfitimeve të sektorit publik, por ngriti shqetësimin për pagat e ulëta në sektorin privat.
“Nuk jemi kundër pagës së 13-të për sektorin publik, por ka punëtorë në sektorin privat që marrin vetëm 250 euro pagë dhe të gjitha institucionet janë të njoftuara për këtë”, përfundoi Azemi.