
Gazetari Fidan Rama ka reaguar ndaj kritikave dhe diskutimeve që pasuan panelin e debatit me kryeministrin Albin Kurti në Kanal 10, duke mohuar se ka pasur çfarëdo presioni mbi gazetarët gjatë përgatitjes ose zhvillimit të emisionit.
“Jo, nuk ka pasur presion. Për mua ka qenë normale dhe gjithkush që ka tentuar përmes neve me ba një pyetje apo me shtu një temë. Kjo, po e përsëris, është pasojë e një vendimi ose strategjie, ose ku e di çka ka ba z. Kurti që të dalë përballë analistëve dhe gazetarëve një herë në 6 vite. Ka dalë në intervista, por jo në ballafaqime.”
Sipas tij, reagimet e ndryshme ndaj performancës së panelit janë të pritshme në një shoqëri të polarizuar si Kosova.
“E dyta, është një skemë polarizuese siç është Kosova, prandaj nuk kam pritur që të jenë të kënaqura të gjitha palët nga performanca jonë.”
Rama theksoi se roli i tyre nuk është të fitojnë mbështetje politike apo vota, por të shtrojnë pyetje dhe të kërkojnë llogaridhënie nga të ftuarit.
“Ne nuk jemi në garë, nuk kërkojmë vota. Jemi këtu me ba pyetje dhe, në këtë që e përmenda, besoj që ne si TV dhe si studio e kemi përfunduar punën tonë.”/Gazeta10