
Një muaj pas protestave qytetare të mbajtura në Shqipëri në shenjë reagimi ndaj politikave të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, politilogu Ermal Hasimja ka komentuar zhvillimet që çuan në mobilizimin e qytetarëve.
Duke folur në emisionin “Gazeta” në DPD nga Tirana, Hasimja tha se fillimisht protestat kishin karakter ambientalist dhe lidheshin me ngjarjet në Zvërnec, por më pas morën një dimension më të gjerë.
“Në fillim ishte ndoshta një shkëndijë me natyrë ambientaliste, atëherë kur ndodhi në Zvërnec. Kur protesta erdhi në Tiranë ishte diçka tjetër, sepse shkëndija në fakt ishte trajtimi dhe zvarritja e njërit prej protestuesve nga një polic privat, në sy të Policisë së Shtetit, në një mënyrë krejtësisht të jashtëligjshme”, u shpreh ai.
Sipas Hasimjës, protesta nuk u mbështet vetëm nga aktivistët e mjedisit, por tërhoqi qytetarë me pakënaqësi të ndryshme ndaj qeverisë.
“Të them të vërtetën, që në fillim sheshi nuk u mbush me ambientalistë, por me njerëz që ishin aty për arsye nga më të ndryshmet. Ishin njerëz që kanë akumuluar pakënaqësi të vazhdueshme ndaj qeverisë dhe iu dha mundësia të dalin për t’i shprehur këto pakënaqësi”, deklaroi ai.
Hasimja vlerësoi se protestat shërbyen si një platformë ku u artikuluan pakënaqësi të ndryshme qytetare, të cilat sipas tij janë grumbulluar prej kohësh ndaj mënyrës së qeverisjes në vend.