Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti: Arrestimi i të dyshuarve për Masakrën e Reçakut hap një kapitull të vonuar të drejtësisë

Gazeta10
24 June 2026 - 10:06

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë komentoi arrestimin e pesë pjesëtarëve të Policisë së Serbisë të dyshuar për përfshirje në Masakrën e Reçakut, duke vlerësuar punën e institucioneve të sigurisë, por njëkohësisht duke kritikuar mungesën e veprimeve për më shumë se dy dekada lidhur me këtë rast.

Kurti tha se arrestimet e fundit janë rezultat i një hetimi gjashtëmujor dhe meritojnë vlerësim, por theksoi se është shqetësues fakti që për vite të tëra nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për zbardhjen e rastit.

“Afër 27 vjet e gjysmë pas Masakrës së Reçakut janë arrestuar pesë pjesëtarë të Policisë së Serbisë. Derisa në njërën anë e përgëzojmë Policinë për arrestimin e të dyshuarve pas një hetimi gjashtëmujor, nuk mund të mos vëmë në dukje faktin se deri në vitin 2020 askush nuk është marrë me këtë rast”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit në detyrë, ndër mijëra lëndët e trashëguara nga EULEX, asnjëra nuk kishte të bënte me Masakrën e Reçakut, gjë që sipas tij dëshmon mungesën e përpjekjeve për të sjellë drejtësi për viktimat.

“Rrjedhimisht, nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i, asnjëra nuk ishte për Masakrën e Reçakut. Në njërën anë kemi arrestim pas gjashtë muajsh hetim, e në anën tjetër kemi më shumë se dy dekada dështim apo kurrfarë përpjekjesh për ndjekjen e përgjegjësve dhe zero angazhim për drejtësi lidhur me këtë rast”, u shpreh Kurti.

Ai paralajmëroi se kalimi i kohës po e vështirëson procesin e drejtësisë, pasi shumë dëshmitarë të ngjarjeve të luftës po plaken, ndërsa disa prej tyre kanë ndërruar jetë.

“Derisa po i afrohemi tri dekadave të plota nga lufta e fundit, dëshmitarët po plaken dhe jo pak prej tyre edhe kanë vdekur. Andaj është e domosdoshme që hetimet dhe gjykimet për krimet e kryera gjatë luftës të marrin hov dhe ritëm të shtuar”, tha ai.

Në fund, Kurti ritheksoi gatishmërinë e Qeverisë për të mbështetur institucionet e drejtësisë në trajtimin e krimeve të luftës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.