
Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, përmes një komunikate për media ka thënë se edhe sektori privat kërkon shtesa me 50-100 euro, raporton Gazeta10.
Azemi ka thënë se është marrë me shqetësim të madh lajmi që vetëm punëtorët e sektorit publik do të stimulohen me shuma të ndryshme.
Ai ka thënë se një mbështetje të tillë më së shumti e meritojnë punëtorët e sektorit privat.
Duke shpjeguar arsyen e kësaj, Azemi ka thënë se ata janë shumë më pak të mbrojtur nga ligji dhe se kanë paga dyfish më të vogla.
“Nuk mund të vlerësohet ndryshe pos kështu, me shqetësim të madh e morëm lajmin e dhënë nga qeveria se vetëm punëtorët e sektorit publik të Kosovës duhet stimuluar me nga 50 e 100 euro për tre muaj radhazi, dhe në sektorin privat jo. Nëse dikush duhet stimuluar atëherë ata janë punëtorët e sektorit privat, ata janë më të varfër, ata janë me paga dyfish më të vogla, ata janë shumë më pak të mbrojtur nga ligji, ata më së shumti financojnë për buxhetin e shtetit”, thuhet në komunikatë. / Gazeta10.