
Drejtori i Institutit për Paqe dhe Siguri,Burim Korça vlerëson se shtyrja e vendimit nga Gjykata në Hagë mund të ndikojë në ndryshimin e qasjes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ndaj zhvillimeve politike dhe proceseve të ardhshme institucionale.
Duke folur në emisionin “Politiko”, Korça tha se deri më tani PDK-ja nuk ka kërkuar të jetë pjesë e një qeverie koalicioni, por sipas tij situata mund të ndryshojë pas zhvillimeve të fundit në Hagë.
“Pas lajmit të sotëm për shtyrjen e vendimit të gjykatës, mendoj që ka me pas ndikim në qasjen e Partisë Demokratike të Kosovës, për shkak se PDK-ja deri sot nuk e ka kërkuar hyrjen në një qeveri koalicioni”, deklaroi Korça.
Ai shtoi se, ndryshe nga PDK-ja, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar në krijimin e institucioneve, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka ofruar mbështetje për zgjedhjen e presidentit duke vendosur parakushte, edhe pa qenë pjesë e qeverisë.
Sipas Korçës, zhvillimet që lidhen me procesin në Hagë mund të ndikojnë në lëvizjet dhe pozicionimet e partive politike në periudhën që vjen.