
Veterani i luftës, Xhevdet Qeriqi, ka folur për gjendjen e tij shëndetësore dhe vështirësitë me të cilat po përballet për shkak të plagëve të marra gjatë luftës, duke thënë se ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në Ministrinë e Shëndetësisë për vendosjen e një proteze.
Në Kanal10, Qeriqi tha se është takuar me ministrin dhe ka dorëzuar dokumentacionin mjekësor, por se i janë kërkuar edhe dokumente shtesë dhe diagnoza të tjera për shkak të kompleksitetit të rastit.
“Jam takuar me ministrin dhe i kam dokumentacionet, por më kanë kërkuar edhe disa dokumente shtesë dhe diagnoza, sepse është mjaft problematike ndërhyrja për shkak të plagëve të mia. Kam biseduar edhe me shefin e kabinetit të ministrit, si dhe me vetë ministrin, të cilëve ua kam ofruar rekomandimet e mjekëve”, tha ai.
Qeriqi bëri të ditur se para një muaji iu nënshtrua një ndërhyrjeje në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, ku, sipas tij, mjekët e kanë njoftuar se vendosja e protezës është një procedurë e ndërlikuar.
“Kam pasur një intervenim para një muaji në repartin e Ortopedisë në QKUK dhe vetë mjekët më kanë thënë se rasti është shumë i komplikuar. Tani jam duke përgatitur dokumentacionin, sepse nuk e kam ditur se si shkon procedura për vendosjen e protezës”, u shpreh ai.
Ai theksoi se vazhdon të ketë probleme të përhershme shëndetësore dhe se pozicioni i plagës e bën ndërhyrjen kirurgjikale më të vështirë.
“Kam probleme të vazhdueshme. Plaga është në një pozicion të keq dhe është mjaft e komplikuar të ndërhyhet për vendosjen e protezës. Kam kontaktuar edhe me shumë miq që kanë qenë të interesuar të më ndihmojnë, por unë kam kërkuar vetëm vendosjen e protezës, asgjë tjetër”, deklaroi Qeriqi.