
Komentatori politik Fidan Rama ka vlerësuar se kryetari aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka gjasa të shkarkohet në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.
Duke folur në emisionin Politiko në Kanal10, Rama tha se, sipas vlerësimit të tij, Abdixhiku nuk e gëzon më mbështetjen e një pjese të konsiderueshme të strukturave të LDK-së.
“Abdixhiku do ta marrë këtë votë të largimit ose të shkarkimit, nëse nuk ndodh diçka tjetër deri në Kuvendin e jashtëzakonshëm. Pastaj LDK-ja do të prodhojë një kryetar të ri, qoftë edhe me një mandat të shkurtër deri në zgjedhjet e rregullta, apo me një mandat të plotë. Unë pres që kjo të shkojë deri aty, sepse qartazi Abdixhiku nuk e ka mbështetjen e konsiderueshme të një grupi të madh brenda LDK-së. Kuvendi kërkon një votim të fshehtë dhe nuk pres që anëtarësia e LDK-së të veprojë ndryshe. Edhe logjika politike nuk më nxjerr rezultat tjetër, përveç shkarkimit të Abdixhikut”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se, bazuar në zhvillimet e fundit brenda LDK-së dhe procedurën e votimit të fshehtë në Kuvend, pret që partia të zgjedhë një kryetar të ri pas përfundimit të këtij procesi. /GAZETA10/