
Real Madridi ka bërë të ditur zyrtarisht të ardhurat rekord prej 1.221 miliardë eurosh për vitin financiar 2025/26, pa përfshirë të ardhurat nga shitja e lojtarëve, pasi shifrat u miratuan në mbledhjen e fundit të bordit drejtues të klubit.
Gjigantët spanjollë raportuan një rritje prej 3.1% të të ardhurave vjetore krahasuar me sezonin e kaluar, duke u bërë organizata e parë sportive që kalon shifrën prej 1.2 miliardë eurosh.
Sipas klubit, rritja është nxitur kryesisht nga të ardhurat më të larta nga stadiumi dhe aktivitetet komerciale.
Të ardhurat nga ‘Santiago Bernabeu’ janë rritur me 11%, ndërsa të ardhurat nga marketingu janë rritur me 6% pas marrëveshjeve të reja të sponsorizimit.

Real Madridi gjithashtu ka regjistruar një fitim neto prej 26.3 milionë eurosh, duke e zgjatur në 26 sezone radhazi serinë e viteve financiare me bilanc pozitiv.
Klubi ka një pasuri neto prej 624 milionë eurosh, ndërsa rezervat financiare arrijnë në 83 milionë euro.
Bordi drejtues shtoi se investimi në rinovimin e ‘Santiago Bernabeu’ ka arritur në 1.407 miliardë euro, ndërsa klubi vazhdon të ruajë një pozicion të fortë financiar përpara lëvizjeve të ardhshme në tregun e transferimeve.