Kontaktoni

info@gazeta10.com

Opinion 10

E reja kundër Kosovës, nuk vjen as nga Zelenski as nga Vuçiqi, por nga Perëndimi

Gazeta10
10 August 2026 - 18:58
Shkruan: Mero Baze

Reagimet ndaj deklaratës së Zelenskit në Beograd kanë zgjuar botën shqiptare rreth faktit “të pandryshuar” që Ukraina nuk e njeh ende shtetin e Kosovës. Në fakt, deklarata që po përpiqet të paraqitet si një ndryshim i politikës së Ukrainës, është thjesht një konstatim i rëndomtë që tregon faktin se qëndrimi i Ukrainës për Kosovën mbetet i pandryshuar. Deklarata ka fituar peshë vetëm se është bërë në Beograd dhe i shërben nga pikëpamja elektorale Vuçiqit.

Nuk ka asgjë të re nga Ukraina për Kosovën. E reja që është kundër Kosovës, nuk vjen as nga Zelenski as nga Vuçiqi, por nga Perëndimi.

Në raportimin ndërkombëtar, deklarata për Kosovën nuk është trajtuar si ndonjë kthesë politike e Zelenskyt, apo si një ngjarje e përqendruar te Kosova, por si pjesë e përpjekjes për afrimin e Serbisë me Ukrainën dhe gradualisht me politikën e jashtme evropiane. Edhe Komisioni Evropian fokusin e ka tek rritja e bashkëpunimit të Beogradit me Kievin dhe kontaktet politike të nivelit të lartë. Media amerikane thuajse e ka injoruar tërësisht si detaj. Politikanët e nivelit të lartë po ashtu. Madje po i kërkojnë Kosovës të rikonfirmojë mbështetjen ndaj Ukrainës, të mos bëjë lojën e Rusisë.

Pra, alarmi i vërtetë nuk vjen nga ajo çfarë rikonfirmoi Zelenski për raportet mes dy vendeve, por nga humbja e rëndësisë së Kosovës në politikën ndërkombëtare. Natyrisht që Vuçiq ka bërë gjithçka që t’i nxjerrë maksimumin vizitës së Zelenskit në Kosovë, duke e përdorur faktin e njohur botërisht që Ukraina nuk e njeh Kosovën si arsye përse ai bën diferencë në qëndrimet e Moskës ndaj Ukrainës.

Dhe këtu është rasti të shikojmë se si e ka relativizuar Kosovën vetë politika e jashtme e Kosovës në Perëndim.

Së paku pesë vitet e fundit Kosova është në një betejë të gjatë nervangritëse me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështje të brendshme dhe politika populiste elektorale, të cilat sigurojnë mbijetesën politike të Albin Kurtit. Falë këtyre betejave populiste, Albin Kurti ka fituar mbështetje politike tek pjesa rurale dhe diaspora orëmbetur e Kosovës, dhe ka relativizuar seriozitetin e Kosovës në kancelaritë perëndimore. Prej vitit 2024, Albin Kurti nuk është më asnjë kryeministër legjitim, por drejton Kosovën me qeveri kujdestare në pritje të nënshtrimit të popullit të Kosovës që ose ta pranojë atë për “mbret” ose Kosova të mbetet shkrumb e hi.

Dhe po shkon drejt kësaj të dytës, duke krijuar një zhgënjim ndërkombëtar si mosmirënjohës ndaj atyre që e çliruan Kosovën.

I njëjti fenomen ndihet dhe në raportet e tij malinje ndaj Shqipërisë, dhe shuarjen e bashkëpunimit diplomatik me Shqipërinë, duke e parë gati si vend armik, çka ul rëndësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare, jo të Shqipërisë. Ministria e Jashtme e Kosovës është agjitatorja më e madhe kundër shtetit shqiptar, shtetase e të cilit është vetë minisrja pjesë e nje familje enveriste. Nuk po hyj pastaj në çështjet e brendshme të Kosovës, të cilat dhe po i injoruam ne, nuk i injorojnë të huajt kur shikojnë një shtet të ri që nxit urrejtje më të madhe ndaj çlirimtarëve të vet, sesa ndaj armiqve realë që ka Kosova. Duke u njollosur si popull mosmirënjohës dhe duke mbajtur në këmbë një krizë politike dyvjeçare që bën Kosovën një shtet qesharak, Albin Kurti i ka shërbyer shumë relativizimit të rëndësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Dhe kjo është arsyeja që deklarata e Zelenskit dëgjohet vetëm në Prishtinë dhe Tiranë dhe festohet vetëm në Beograd. Pjesa tjetër e botës është tërësisht indiferente.

Ana tjetër e rrezikshme e deklaratave që vijnë nga Kosova, është kushtëzimi i mbështetjes për Ukrainën me njohjen e Kosovës. Kjo është më kundër Kosovës se sa deklarata konstatuese e Zelenskit. Kosova, Shqipëria dhe gjithë bota antiruse janë kundër pushtimit të Ukrainës pasi janë kundër prekjes së sovranitetit të një shteti tjetër me luftë. Nëse tani dikush do të gjejë alibi që të jetë me Rusinë dhe jo me Ukrainën, mund të gjejë arsye më serioze, jo mosnjohjen e Ukrainës për Kosovën, pasi ajo është fakt i vjetër qysh para pushtimit.

Madje, nëse Kosova do të vendosë kriter se do jetë armike me shtete që nuk e njohin, atëherë Albin Kurti nuk di se si do ta shpjegojë dashurinë e tij të madhe me Greqinë, një vend që nuk e njeh Kosovën, por njeh Dejona Mihalin në Kosovë.

I vetmi vend që Albin Kurti ka marrëdhënie të ngushta, që shkon me pushime familjarisht dhe shoqërisht, që e viziton rregullisht disa herë në vit, është Greqia. Edhe Greqia, si Ukraina, nuk e njeh Kosovën, por nuk kam parë askënd të irritohet me këtë fakt në zyrën e Albin Kurtit. Madje ka radhë të madhe kë të marrë me vete në Greqi kur ikën me pushime.

Do të mjaftonte rasti i Greqisë që ky “zemërim” fals me Ukrainën të binte poshtë. E vërteta është se gjithë fluksi pro-rus shqiptar e ka përdorur këtë argumentin e mosnjohjes së Kosovës nga Ukraina që kur filloi konflikti. Në përpjekje për të minimizuar mbështetjen për Ukrainën përdornin pikërisht këtë fakt. Tani që Zelenski tha se ky fakt nuk ka ndryshuar dhe ky është thjesht konstatim, u ringjallën pro-rusët e Kosovës, jo ata që janë të shqetësuar për mosnjohjen e Kosovës. Në krye të atyre që janë pro Beogradit dhe kundër Kosovës, janë miqtë e Albin Kurtit në Athinë. Nëse nuk zemërohesh me ta, nuk ke arsye të zemërohesh me askënd që nuk e njeh Kosovën.

Ndaj dëmi më i madh që bëri Zelenski nuk është konstatimi i tij se asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me Kosovën nga Ukraina, por fakti që ndjeshmëria për Kosovën dhe mosnjohjen e saj në Perëndim ka rënë ndjeshëm falë politikës së Albin Kurtit kundër SHBA, kundër Evropës, kundër Shqipërisë dhe madje dhe kundër çlirimtarëve të Kosovës.

Mosmirënjohja ka çmimin e saj, që në këtë rast po e paguan Kosova, të cilës nuk i vjen ndonjë e keqe nga Ukraina, nëse e njeh apo nuk e njeh, por nga fakti që ka në krye një kryeministër, i cili nuk mbështetet mbi parime në politikën e jashtme të Kosovës, por përpiqet të mbijetojë me ngjarje të tilla ditore që të ushqejë votuesit e tij me populizëm dhe gënjeshtra të rëndomta, për t’u dukur viktimë e SHBA, Bashkimit Evropian, Shqipërisë, viktimë e luftëtarëve të UÇK, tani dhe e Ukrainës që nuk e njeh.

Ai sillet sikur bota i ka borxh Kosovës dhe jo sikur Kosova i ka borxh BE, SHBA, NATO, UÇK, Shqipërisë dhe kujtdo tjetër që luftoi për pavarësinë e Kosovës, pa e ditur që në vitin 2026 në krye të saj do të ishte një kryeministër që e mban peng shtetin për hir të pushtetit.

Për këtë arsye nuk i dhimbset askujt.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Opinion 10
04 August 2026
Opinion 10
17 June 2026
Opinion 10
14 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.