Kontaktoni

info@gazeta10.com

Opinion 10

Sqarime kushtetuese mbi krizën aktuale dhe bllokimin e konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës

Gazeta10
11 August 2026 - 12:02
Shkruan: Arsim Bajrami

Duke qenë njëri nga hartuesit kryesorë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës , profesor i së drejtës kushtetues për 45 vite dhe duke pasur një përvojë të gjatë në procesin e ndërtimit të institucioneve të Republikës, e konsideroj të nevojshme të jap disa sqarime publike mbi situatën aktuale politike dhe kushtetuese, veçanërisht mbi bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe pasojat që kjo situatë mund të prodhojë për funksionimin normal të shtetit.

Për një periudhë relativisht të gjatë kam zgjedhur të hesht dhe të mos jem pjesë e debatit të përditshëm politik e mediatik. Kjo heshtje nuk ka qenë mungesë interesi dhe as tërheqje nga përgjegjësia ime publike. Ka qenë një qëndrim i vetëdijshëm profesional dhe, në një masë, edhe një formë proteste ndaj degradimit të debatit kushtetues, relativizimit të ekspertizës juridike dhe shndërrimit të çështjeve serioze kushtetuese në tema të debatit të përditshëm televiziv.

Kushtetuta nuk mund të interpretohet sipas logjikës së studios televizive, sipas kalkulimeve politike të ditës apo sipas interesave të momentit. Ajo duhet të lexohet në tërësinë e saj, në frymën e parimeve mbi të cilat është ndërtuar dhe në dritën e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese.

Pikërisht për këtë arsye, në këtë moment e konsideroj detyrim profesional të flas. Po e bëj këtë jo si analist politik, por si profesor i së drejtës kushtetuese dhe si njëri nga hartuesit kryesorë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.Pikëpamjet e mia po i sistemoj në dhjetë çështje themelore, të cilat, sipas vlerësimit tim, janë të rëndësishme për të kuptuar natyrën e krizës aktuale dhe për të orientuar debatin publik drejt një leximi sa më të saktë të Kushtetutës.

I. KONSTITUIMI I KUVENDIT ËSHTË DETYRIM KUSHTETUES, JO MUNDËSI POLITIKE

Konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk është një akt që mund të shtyhet sipas vullnetit politik të subjekteve parlamentare. Ai është një detyrim kushtetues.Neni 66.1 i Kushtetutës përcakton se seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda tridhjetë ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve.Kjo dispozitë ka një logjikë të qartë kushtetuese: pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe shpalljes zyrtare të rezultateve, duhet të fillojë pa vonesë procesi i krijimit dhe funksionalizimit të institucioneve të reja.Në hartimin e kësaj dispozite, qëllimi ka qenë që afati prej tridhjetë ditësh të funksionojë si një kufi kushtetues që garanton kalimin brenda një kohe të arsyeshme nga procesi zgjedhor në funksionalizimin e Kuvendit, e jo si një periudhë të cilën subjektet politike mund ta shfrytëzojnë për ta zvarritur procesin pa kufizim.Kushtetuta është hartuar për të garantuar vazhdimësinë institucionale të shtetit dhe për të parandaluar krijimin e vakumit politik e institucional.Prandaj, konstituimi i Kuvendit nuk është çështje e vullnetit politik të një partie ose e një grupi parlamentar. Është detyrim që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta.Vullneti politik është i domosdoshëm për realizimin e këtij detyrimi, por nuk mund të përdoret si arsye për ta mohuar vetë detyrimin kushtetues.

II. AFATI KUSHTETUES PREJ TRIDHJETË DITËSH DUHET TË RESPEKTOHET

Neni 66.1 përdor një formulim të qartë: seanca konstituive mbahet brenda tridhjetë ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve.Ky formulim nuk i jep subjekteve politike një mundësi të pakufizuar për ta shtyrë konstituimin. Afati është vendosur për të siguruar një kalim të shpejtë, të rregullt dhe kushtetues nga procesi zgjedhor në funksionalizimin e institucioneve.Kur ky afat tejkalohet pa përfunduar procesi kushtetues, atëherë kemi një çështje serioze të respektimit të Kushtetutës.Megjithatë, edhe këtu duhet të ruajmë saktësinë juridike. Një gjë është pretendimi për shkelje kushtetuese, ndërsa diçka tjetër është konstatimi përfundimtar i një shkeljeje kushtetuese.Në një shtet kushtetues, nuk mjafton që një subjekt politik ose një komentues publik të deklarojë se ka ndodhur shkelje e Kushtetutës. Çdo pretendim i tillë duhet të vlerësohet në procedurën dhe nga autoriteti kompetent.Sipas Nenit 112.1, Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës. Prandaj, nëse pretendohet se mosrespektimi i afatit kushtetues ka prodhuar një shkelje kushtetuese, çështja duhet të adresohet në mënyrë institucionale pranë Gjykatës Kushtetuese nga subjektet e autorizuara.Debati politik nuk mund ta zëvendësojë procedurën kushtetuese.Kjo është një nga premisat themelore të shtetit të së drejtës: Kushtetuta interpretohet dhe zbatohet përmes institucioneve kompetente dhe jo përmes deklaratave politike.

III. ZGJEDHJA E KRYETARIT TË KUVENDIT ËSHTË PJESË E PROCESIT TË KONSTITUIMIT

Konstituimi i Kuvendit nuk duhet kuptuar si një ceremoni thjesht solemne dhe protokollare. Ai është fillimi juridik i funksionimit të institucionit parlamentar.Neni 67.1 përcakton se Kuvendi zgjedh Kryetarin dhe pesë nënkryetarët nga radhët e deputetëve, ndërsa Neni 67.2 përcakton procedurën për propozimin dhe zgjedhjen e Kryetarit.Kjo çështje është trajtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese në rastin KO119/14, në të cilin është analizuar rëndësia kushtetuese e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe funksionalizimit të institucionit parlamentar.Kjo jurisprudencë tregon se zgjedhja e Kryetarit nuk është një çështje dytësore apo thjesht procedurale. Ajo lidhet drejtpërdrejt me funksionalizimin e Kuvendit dhe me ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese.Prandaj, subjektet politike duhet ta përdorin vullnetin e tyre politik për ta realizuar Kushtetutën dhe jo për ta bllokuar atë.Në një demokraci parlamentare, shumicat dhe pakicat politike kanë të drejtë të konkurrojnë për postet dhe për drejtimin e institucioneve, por ky konkurrim duhet të zhvillohet brenda rregullave kushtetuese dhe parlamentare.

IV. MOSKONSTITUIMI I KUVENDIT NUK SJELL AUTOMATIKISHT SHPËRNDARJEN E TIJ

Në debatin publik është krijuar një konfuzion serioz lidhur me pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit.Është e rëndësishme të theksohet se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues nuk duhet të barazohet automatikisht me shpërndarjen e tij.Neni 82 i Kushtetutës përcakton rastet në të cilat Kuvendi mund të shpërndahet. Këto raste lidhen, ndër të tjera, me dështimin e formimit të Qeverisë sipas procedurës kushtetuese, me vendimin e Kuvendit për shpërndarje me shumicën e kërkuar, me moszgjedhjen e Presidentit dhe me situatat e tjera të përcaktuara shprehimisht nga Kushtetuta.Në të drejtën kushtetuese ekziston një parim themelor: kompetencat dhe shkaqet për përfundimin e parakohshëm të mandatit institucional duhet të kenë bazë të qartë kushtetuese.Kushtetuta nuk autorizon krijimin e një shkaku të ri për shpërndarjen e Kuvendit përmes një interpretimi politik.Prandaj, nuk mund të thuhet se vetëm tejkalimi i afatit për konstituim e aktivizon automatikisht mekanizmin e shpërndarjes së Kuvendit.Çdo pasojë juridike e moskonstituimit duhet të nxirret nga një interpretim sistematik i Kushtetutës dhe nga jurisprudenca përkatëse e Gjykatës Kushtetuese, e jo nga një interpretim i shkëputur ose politik i një dispozite.

V. KEMI NJË KRIZË POLITIKE DHE INSTITUCIONALE ME PASOJA KUSHTETUESE

Në vlerësimin tim, situata aktuale duhet të emërtohet me saktësi.Kemi të bëjmë para së gjithash me një krizë politike dhe institucionale, e cila po prodhon pasoja të rëndësishme kushtetuese.Kushtetuta e Kosovës përcakton strukturën e pushtetit, kompetencat e institucioneve dhe procedurat për funksionalizimin e tyre. Por Kushtetuta nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik.Kur kemi hartuar Kushtetutën, nuk kemi mundur dhe as nuk ka qenë e mundur të parashikonim çdo situatë të mundshme të bllokimit politik. Një Kushtetutë nuk mund të shkruhet si një manual për çdo konflikt të mundshëm ndërmjet partive politike.Ajo është ndërtuar mbi premisën e një kulture demokratike dhe kushtetuese, në të cilën subjektet politike respektojnë rregullat e lojës demokratike dhe, kur është e nevojshme, arrijnë kompromiset e domosdoshme për funksionimin e shtetit.Prandaj, zgjidhja e krizës aktuale është para së gjithash politike, ndërsa Kushtetuta duhet të jetë korniza detyruese brenda së cilës gjendet dhe realizohet kjo zgjidhje.Kushtetuta përcakton rregullat; politika demokratike duhet të prodhojë vullnetin për t’i zbatuar ato.

VI. KONSTITUIMI DUHET TË PASOHET NGA FORMIMI I QEVERISË

Kushtetuta ka krijuar një zinxhir të ndërlidhur institucional:Zgjedhjet → konstituimi i Kuvendit → zgjedhja e Kryesisë → formimi i Qeverisë → funksionalizimi i plotë i institucioneve.Neni 65 përcakton kompetencat e Kuvendit, ndërsa Neni 95 përcakton procedurën kushtetuese për zgjedhjen e Qeverisë.Pas konstituimit të Kuvendit, duhet të aktivizohet procedura për formimin e Qeverisë sipas rregullave të përcaktuara në Kushtetutë.Kushtetuta nuk e ka ndërtuar sistemin institucional në mënyrë që njëri institucion të mund ta mbajë peng të gjithë ciklin institucional për një kohë të pakufizuar.Pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia e subjekteve parlamentare është që të mos e ndërpresin zinxhirin kushtetues të funksionalizimit të shtetit.Në një sistem parlamentar, zgjedhjet nuk përbëjnë pikën përfundimtare të procesit demokratik. Ato janë fillimi i një procesi të ri institucional që duhet të çojë në konstituimin e parlamentit dhe në formimin e qeverisë.

VII. ABUZIMI ME KOMPETENCËN KUSHTETUESE DHE OMETIMI KUSHTETUES

Këtu kemi një çështje më të ndërlikuar dhe më të ndjeshme të së drejtës kushtetuese.Një kompetencë kushtetuese nuk duhet parë vetëm si një privilegj i subjektit që e ushtron atë. Çdo kompetencë kushtetuese ekziston për të realizuar një funksion kushtetues dhe për t’i shërbyer funksionimit të institucionit dhe të shtetit.Nëse një subjekt politik ka mundësinë dhe përgjegjësinë për të ndërmarrë veprime që çojnë në funksionalizimin e institucioneve, por e përdor pozitën e tij për të shkaktuar ose për të zgjatur një bllokim institucional, atëherë lind pyetja nëse kemi të bëjmë thjesht me ushtrim të një kompetence politike apo nëse, në rrethana të caktuara, mund të shtrohet edhe çështja e keqpërdorimit të pozitës kushtetuese.Kjo kërkon një analizë shumë të kujdesshme dhe nuk mund të konkludohet vetëm mbi bazën e një vlerësimi politik.Në këtë kontekst mund të shtrohet edhe çështja e ometimit kushtetues.Ometimi kushtetues mund të shfaqet kur mosveprimi i një organi publik krijon një boshllëk në realizimin e një detyrimi kushtetues dhe pengon funksionimin efektiv të rendit kushtetues.Megjithatë, ky koncept duhet përdorur me shumë kujdes. Ometimi kushtetues nuk mund të shpallet vetëm përmes një deklarate politike. Ai kërkon analizë juridike të detyrimit kushtetues, subjektit përgjegjës, natyrës së mosveprimit, kohëzgjatjes së tij dhe pasojave që prodhon.Pikërisht për këtë arsye, është e nevojshme që debati mbi ometimin kushtetues të mos shndërrohet në një etiketë politike, por të mbetet pjesë e një analize serioze juridiko-kushtetuese.

VIII. GJYKATA KUSHTETUESE NUK MUND TË ZËVENDËSOJË MARRËVESHJEN POLITIKE

Neni 112.1 e përcakton Gjykatën Kushtetuese si autoritetin përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës.Ndërkohë, Neni 113 përcakton kompetencat e Gjykatës dhe subjektet që mund t’i drejtohen asaj në rastet e përcaktuara nga Kushtetuta.Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për situatën aktuale.Nëse subjektet e autorizuara konsiderojnë se një veprim ose mosveprim institucional ka prodhuar një problem kushtetues, rruga është institucionale: çështja duhet t’i paraqitet Gjykatës Kushtetuese sipas procedurës përkatëse.Por Gjykata nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik të partive.Gjykata mund të interpretojë Kushtetutën, të përcaktojë kufijtë kushtetues të veprimeve institucionale dhe të konstatojë shkeljet kur plotësohen kushtet juridike. Ajo mund të japë një zgjidhje juridike brenda kompetencës së saj, por nuk mund të krijojë një marrëveshje politike aty ku subjektet politike refuzojnë ta bëjnë atë.Kjo ndarje ndërmjet juridikes dhe politikës është thelbësore për funksionimin e një shteti kushtetues.

IX. JURISPRUDENCA KUSHTETUESE DUHET TË RESPEKTOHET DHE NUK MUND TË RELATIVIZOHET

Debati aktual duhet të zhvillohet mbi bazën e Kushtetutës dhe të jurisprudencës ekzistuese të Gjykatës Kushtetuese.Rasti KO119/14 është një pikë e rëndësishme reference për çështjen e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe funksionalizimit të tij.Po ashtu, praktika kushtetuese e Kosovës ka trajtuar çështje të afateve, formimit të institucioneve dhe pasojave të dështimit të proceseve kushtetuese. Kjo jurisprudencë duhet të lexohet në mënyrë sistematike dhe në kontekstin konkret të secilit rast.Në këtë kontekst, duhet të përdorim me kujdes konceptin res judicata – çështje e gjykuar.Jo çdo situatë e re politike është automatikisht res judicata vetëm sepse i ngjan një rasti të mëparshëm. Për të folur për çështje të gjykuar duhet të ekzistojnë kushtet juridike përkatëse dhe identiteti i nevojshëm i çështjes së gjykuar.Por një parim themelor nuk mund të relativizohet: vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen dhe të zbatohen.Neni 116 i Kushtetutës përcakton efektin juridik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e saj nuk janë këshilla politike dhe as opinione fakultative. Ato janë pjesë e rendit kushtetues dhe kanë fuqi juridike detyruese.Në një shtet kushtetues, jurisprudenca kushtetuese nuk mund të përdoret në mënyrë selektive: nuk mund të pranohet kur i shërben një pozicioni politik dhe të refuzohet kur nuk i shërben atij.

X. ZGJIDHJA ËSHTË PËRGJEGJËSIA POLITIKE DHE MARRËVESHJA PËR FUNKSIONALIZIMIN E SHTETIT

Pas gjithë këtyre sqarimeve, përfundimi im është i qartë.Kosova nuk ka nevojë për një luftë të re interpretimesh kushtetuese. Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, maturi institucionale dhe vullnet për kompromis.

1.Duhet të konstituohet Kuvendi.

2.Duhet të zgjidhet Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit.

3.Duhet të fillojë dhe të përfundojë procedura kushtetuese për formimin e Qeverisë.

4.Duhet të krijohen kushtet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

5.Dhe, mbi të gjitha, duhet të rikthehet funksionaliteti i plotë i institucioneve të Republikës së Kosovës.

Si njëri nga hartuesit kryesorë të Kushtetutës, dua ta them qartë: Kushtetuta nuk është shkruar për të bllokuar shtetin. Ajo është shkruar për ta bërë shtetin funksional.Kushtetuta është kompromis politik i institucionalizuar. Ajo është marrëveshja themelore mbi rregullat e bashkëjetesës politike dhe institucionale.Prandaj, kur politika hyn në krizë, zgjidhja nuk mund të jetë keqpërdorimi i Kushtetutës. Zgjidhja duhet të jetë kthimi te Kushtetuta, te dialogu, te përgjegjësia dhe te kompromisi politik.

Apeli im është i drejtpërdrejtë për të gjitha subjektet politike parlamentare:

1.Mos e mbani shtetin peng të kalkulimeve partiake.

2.Mos e përdorni Kushtetutën si instrument bllokimi.

3.Mos e degradoni debatin kushtetues me interpretime të improvizuara.

4.Respektoni Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

5.Arrini një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse për funksionalizimin e institucioneve të Republikës.

6.Kosova ka kaluar nëpër sfida shumë më të mëdha se kjo. Ajo ka ndërtuar institucionet e saj mbi kompromis, përgjegjësi dhe vullnet shtetformues.

7.Sot, më shumë se kurrë, kërkohet pikërisht kjo përgjegjësi.

8.Çdo ditë e humbur në një bllokadë institucionale e dëmton autoritetin e shtetit, e dobëson besimin e qytetarëve dhe krijon një precedent të rrezikshëm për kulturën kushtetuese të Republikës.

9.Prandaj, thirrja ime është e drejtpërdrejtë:KONSTITUONI KUVENDIN,FORMONI QEVERINË,ZGJIDHNI PRESIDENTIN,

FUNKSIONALIZONI SHTETIN.

10.Kushtetuta e Republikës së Kosovës është më e madhe se çdo parti politike dhe interesi i shtetit është më i madh se çdo kalkulim elektoral.Tani është koha që politika ta rikthejë kompromisin në funksion të Kushtetutës dhe Kushtetutën në funksion të REPUBLIKËS SË KOSOVËS, shtetit tonë sovran dhe të pavarur.

Akademik Arsim Bajrami

Prishtinë, 11 gushtë, 2026

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Opinion 10
04 August 2026
Opinion 10
17 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.