
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të pafajshëm ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili akuzohej për hedhjen e gazit lotsjellës.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykatësja Edita Çanta deklaroi se Konjufca lirohet nga akuza.
“I pandehuri Glauk Konjufca lirohet nga akuza”, tha Çanta.
Konjufca akuzohej për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës gjatë një mbledhjeje.
Ky është rasti i dytë kur Gjykata Themelore në Prishtinë e shpall Konjufcën të pafajshëm. Më 26 shkurt 2024, gjykata kishte nxjerrë aktgjykim lirues, me arsyetimin se nuk ishte provuar se ai kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.
\