
Kandidati për president të Kosovës, Bekim Sejdiu, është deklaruar për herë të parë pas dakordimit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e tij.
Sejdiu ka thënë se ndihet i nderuar për besimin e dhënë nga të dyja partitë dhe ka konfirmuar se e ka pranuar propozimin për të kandiduar për postin e presidentit.
“Ky besim më bën të ndihem i nderuar për besimin që më kanë dhënë përfaqësuesit e të dyja partive. Unë e kam pranuar këtë propozim, ndonëse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fushën akademike”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka theksuar se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që bart posti i presidentit, sidomos në situatën aktuale politike në vend.
“Jam në shërbim të Kosovës, qytetarëve dhe shtetit tonë, që të shërbej me devotshmëri, siç kam bërë gjithmonë”, është shprehur ai.
Sejdiu ka bërë të ditur se arsyeja kryesore për pranimin e kandidaturës është dëshira për t’i shërbyer Kosovës dhe qytetarëve të saj.