
Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të mbajë të enjten, më 10 shtator, mbledhjen e 372-të, në të cilën ndër të tjera pritet të bëhet përzgjedhja dhe emërimi i kryetarit të Gjykatës Administrative.
Mbledhja është paraparë të nisë në orën 09:00, ndërsa kjo çështje është pika e dytë e rendit të ditës dhe për diskutimin e saj janë paraparë 10 minuta.
Në rend dite është edhe shqyrtimi i rekomandimeve të Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjykatës së Apelit, si dhe ndryshimi dhe plotësimi i vendimit të KGJK-së nr. 23/2026, të datës 16 janar 2026.
KGJK-ja do të shqyrtojë gjithashtu raportin e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës për tremujorin e dytë, përkatësisht periudhën prill-qershor 2026.
Në fillim të mbledhjes është paraparë edhe shqyrtimi i ekstrakteve të procesverbaleve të disa mbledhjeve të mëparshme të KGJK-së, përfshirë takimet e mbajtura në muajt mars, prill dhe maj 2026.
Mbledhja e 372-të është thirrur në bazë të nenit 11, paragrafi 2 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe nenit 14, paragrafi 1 të Rregullores për Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Kjo gjykatë filloi punën më 5 maj të këtij viti. Po atë ditën punën filluan 17 gjyqtarë, ndërsa pesë të tjerë më 1 korrik.
Pa u zgjidhur, kishte mbetur vetëm kryetari i saj.
Për shkak të mungesës së kuorumit në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për tre herë radhazi kishte dështuar konkursi.