
Analisti politik Arton Demhasaj, i ftuar në emisionin “Adresa” në Kanal 10, ka deklaruar se procesi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka kaluar afatin kushtetues dhe se çdo veprim i Kuvendit pas 7 gushtit është, sipas tij, në kundërshtim me Kushtetutën.
Demhasaj ka theksuar se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është përcaktuar afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, i cili llogaritet nga data e certifikimit të rezultateve zgjedhore.
“Me 7 gusht ka përfunduar afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese është caktuar afati prej 30 ditësh, ashtu siç përcaktohet edhe me Kushtetutë. Ky afat ka përfunduar më 7 gusht”, ka deklaruar Demhasaj.
Sipas tij, kjo nënkupton se çdo veprim i ndërmarrë nga Kuvendi pas kësaj date është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Që nga 7 gushti, çdo veprim që e merr Kuvendi i Kosovës është në kundërshtim me Kushtetutën, pra është shkelje kushtetuese”, ka thënë ai.
Demhasaj ka ngritur edhe një tjetër shqetësim lidhur me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, Kuvendi ka qenë i obliguar që brenda afatit 30-ditor të tentojë konstituimin e tij, duke mbajtur seanca çdo 48 orë, siç kishte ndodhur edhe në rastin e vitit të kaluar.
“Përveç kësaj shkeljeje, ka ndodhur edhe një shkelje tjetër. Gjykata Kushtetuese, me vendimin e saj, e ka obliguar Kuvendin që brenda këtij afati 30-ditor të konstituohet. Kuvendi është dashur të provojë çdo 48 orë të mbajë seancë, në mënyrë që të arrijë konstituimin, ashtu siç ka ndodhur edhe vitin e kaluar. As kjo nuk ka ndodhur”, ka deklaruar Demhasaj.
Ai ka përfunduar se, pavarësisht se çfarë do të ndodhë në seancën e radhës, qoftë konstituimi i Kuvendit apo dështimi i tij, sipas tij, pasojat juridike do të mbeten të lidhura me shkeljen e afateve kushtetuese.
“Prandaj, çkado që të ndodhë nesër, qoftë konstituohet Kuvendi ose jo, ai Kuvend është në kundërshtim me Kushtetutën, është antikushtetues dhe çdo pasojë që do ta prodhojë Kuvendi do të vazhdojë të jetë një zinxhir antikushtetues”, ka thënë Demhasaj./Gazeta10