
Zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës kanë shkaktuar reagime të shumta, ndërsa debat ka nxitur edhe deklarata e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq.
Gjatë diskutimit në Kuvend, Simiq, duke folur për propozimin për nënkryetar të Kuvendit, u shpreh se ai po propozohej “në emër të popullit serb”.
Kjo deklaratë u bë temë diskutimi edhe në emisionin “Politiko”, ku gazetari serb Bratislav Kërstiq foli për terminologjinë që përdor Kushtetuta e Kosovës dhe statusin e komunitetit serb në vend.
Kërstiq tha se Kushtetuta flet qartë.
“Kushtetuta jonë flet për shqiptarët dhe komunitetet tjera, por Kushtetuta nuk thotë që shqiptarët janë popull. Shqiptarët janë shumicë në Kosovë, ndërsa serbët janë komunitet, jo shumicë në Kosovë. Unë mund të jem pjesëtar i popullit serb në Ballkan, por Kushtetuta jonë ma përcakton statusin shumë qartë. Në Kosovë unë jam pjesëtar i komunitetit serb”, deklaroi Kërstiq.