
Rritja e çmimit të karburanteve që nga fillimi i muajit mars, pas përshkallëzimit të konflikteve në Lindjen e Mesme, ka gërryer të ardhurat e përdoruesve të mjeteve, operatorëve të transportit publik dhe me efekt zinxhir, të gjithë të tjerëve që u janë shtuar kostot nga transporti.
Sot, në Shqipëri një litër naftë kushton 219 lekë dhe benzina 205 lekë, nga 175 që ishin çmimet deri në mars, shkruan monitor.al.
Më i fituari rezulton që të ketë dalë buxheti, që ka arkëtuar më shumë të ardhura nga shtrenjtimi i naftës, përmes tatimit mbi vlerën e shtuar prej 20%, i cili i ngarkohet konsumatorit duke u shtuar në çmimin final të pakicës.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Doganave, të përpunuara nga Monitor, nga muaji mars, kur filloi rritja e çmimeve, deri në korrik, buxheti ka arkëtuar nga importi i naftës dhe benzinës, përmes taksës doganore, akcizës dhe TVSH-së, rreth 20.2 miliardë lekë, me një rritje prej 9.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose gati 1.7 miliardë lekë më shumë (rreth 18 milionë euro).
Për të njëjtën periudhë, importi ishte 387 milionë litra, ose 0.6% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, një tregues që rritja e të ardhurave është tërësisht efekti i shtrenjtimit të çmimeve. Gati 80% e importit është nga nafta dhe pjesa tjetër benzinë.