
Bekim Sejdiu ka njoftuar tërheqjen nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës.
Në shkrimin drejtuar qytetarëve, Sejdiu bëri të ditur se para dy javësh ishte kontaktuar nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ishte ftuar në një takim me delegacionet e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, në këtë takim ishte njoftuar se dy partitë, pas një procesi të gjatë bisedimesh, kishin arritur pajtueshmëri që ai të propozohej si kandidat jopartiak për President të Kosovës.
Sejdiu tha se e kishte pranuar kandidaturën me synimin për të kontribuar në zhbllokimin e ngërçit institucional.
Megjithatë, ai theksoi se rrethanat politike kanë ndryshuar dhe se mungesa e mbështetjes së nevojshme në Kuvend, së bashku me përplasjet e brendshme politike, e kanë shtyrë të marrë vendimin për t’u tërhequr.
“Kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai bëri të ditur se për vendimin i ka njoftuar më herët përfaqësuesit e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Në deklaratën e tij, Sejdiu falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë këtyre ditëve, duke veçuar kolegët, miqtë, personalitetet publike, shoqërinë civile dhe mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fund, ai u bëri thirrje partive politike që të gjejnë një zgjidhje për krizën institucionale, duke theksuar se Kosovës nuk i duhen “drama politike dhe thellim i polarizimit”, por maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit.