
Ministri i Mbrojtjes i Bosnjë e Hercegovinës, Zukan Helez, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për ndërprerjen e kontratave të 2 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës, për shkak të glorifikimit të kriminelit të luftës Ratko Mladiq, i dënuar me vendim të formës së prerë.
“Dua të jem plotësisht i qartë: përderisa unë jam ministër i Mbrojtjes i Bosnjë e Hercegovinës, në Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës nuk do të ketë tolerancë për glorifikimin e kriminelëve të luftës. Rastet e tjera të raportuara i janë përcjellë Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës. Statusi i tyre në Forcat e Armatosura do të zgjidhet pas vendimeve të institucioneve kompetente të drejtësisë, në përputhje me ligjin”, ka deklaruar ai, shkruan klix.ba.
Helez ka theksuar se Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës janë ushtria e të gjithë qytetarëve të vendit.
“Ato mbrojnë të gjithë qytetarët tanë, paqen dhe sigurinë, si dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë. Ushtria jonë duhet të jetë institucion në të cilin çdo qytetar mund të ketë besim, institucion që respekton viktimat, ligjin dhe vlerat e paqes”, ka shtuar ai.
Kujtojmë se Helez kishte njoftuar më herët se kishte paraqitur denoncime ndaj 37 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës për glorifikimin e kriminelit të luftës Ratko Mladiq.
Nga këto raste, 10 denoncime i janë përcjellë Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, pasi është konstatuar se ekzistojnë elemente të veprës penale.
Në mesin e tyre ishin edhe 2 pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës, të cilët ishin pranuar së fundmi në shërbim.