
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për një listë të përbashkët, të quajtur “Koalicioni Shqiptar”, për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Në një postim, Kurti ka falënderuar përfaqësuesit e subjekteve politike për, siç ka thënë, angazhimin dhe gatishmërinë për bashkëpunim.
Ai ka thënë se bashkimi politik përmes “Koalicionit Shqiptar” nuk është i mjaftueshëm, duke kërkuar edhe përfaqësim të garantuar për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Kuvendin e Serbisë.
“Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, përfaqësimi i garantuar është parim që duhet të vlejë si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, me respekt të barabartë për të drejtat e komuniteteve.
Kurti ka përmendur gjithashtu si çështje të rëndësishme pasivizimin e adresave, përfaqësimin në institucionet publike, zhvillimin ekonomik, si dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës, simboleve dhe kujtesës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ai ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke theksuar se angazhimi, sipas tij, do të jetë i vazhdueshëm për barazi, dinjitet dhe mirëqenie.