
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Anton Hofreiterin, kryetar i Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman.
Kurti e falënderoi Hofreiterin për vizitën, ndërsa shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bundestagut gjerman.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale në vend, integrimin evropian, çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimin rajonal.
Kurti kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për marrjen e “statusit të merituar” të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas Kurtit, Kosova ka shënuar “përparim të rëndësishëm në demokraci, sundimin e ligjit, siguri dhe ekonomi”.
Në takim u diskutua gjithashtu për rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët evropianë në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.