
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të shkojë në Kuvend dhe të votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Përmes një postimi, Çitaku ka thënë se kanë mbetur vetëm pak orë për këtë proces, duke iu drejtuar Kurtit dhe deputetëve që e kanë votuar projektligjin në lexim të parë.
“Kanë mbetur edhe pak orë. Ne jemi në Kuvend. Po ju presim, ju dhe të gjithë 91 deputetët që e votuan ligjin në lexim të parë. Eja dhe votoje ligjin”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se, sipas saj, votimi i këtij ligji nuk duhet të shihet si favor ndaj një partie politike.
“Ky nuk është një favor për PDK-në. Është detyrim dhe nder për secilin prej nesh që ta mbrojmë UÇK-në, të kaluarën tonë dhe të ardhmen tonë”, ka deklaruar Çitaku.
Në reagimin e saj, deputetja e PDK-së i ka bërë thirrje Kurtit që të mos e vonojë më tej këtë proces.
“Albin, eja në Kuvend. Ndali lojërat. Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se kalkulimet politike ditore”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka përsëritur thirrjen e saj duke kërkuar që ligji të votohet sa më shpejt.
“Mos vono më”, ka përfunduar ajo.