
Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka komentuar raportimet për emërimin e Berita Abazit si shefe e kabinetit të presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pulës.
Në “Politiko”, Bajqinovci tha se zgjedhja e presidentes është bërë mbi bazën e një figure që, sipas tij, nuk është e lidhur politikisht me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë mendoj që deputetët e PDK-së kanë deklaruar se ajo është e PDK-së. Ne kemi zgjedhur një grua që është apolitike, nuk është me VV-në, ka qenë me PDK-në”, tha Bajqinovci.
Duke folur për emërimin e Berita Abazit në krye të kabinetit të presidentes, ai tha se ajo ka përvojë në çështjet protokollare dhe institucionale.
“Pse është shefe e kabinetit Berita Abazi? Është një aktiviste dhe njohëse e çështjeve protokollare. I ka dy vite që është në Kuvend dhe në Presidencë, dmth. ka qenë me Albulena Haxhiun dhe s’ka kush që e njeh punën më mirë se ajo”, u shpreh deputeti.
Bajqinovci tha se ende nuk dihet se kush do të jenë këshilltarët e presidentes së re, ndërsa theksoi se pret që Shiroka-Pula të jetë e pavarur në vendimmarrje.
“Nuk mund ta dimë kush do të jetë këshilltar. Mendoj që Justina Pula është e pavarur në vendimmarrje dhe na ka ardhur në këtë cilësi”, deklaroi Bajqinovci.