
Policia e Shtetit në Shqipëri ka reaguar pas, siç thuhet, përshkallëzimit të dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimit me zjarr të pronës publike e private gjatë një tubimi.
Në reagim, Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të ruajnë vetëpërmbajtjen dhe qetësinë, si dhe të distancohen menjëherë nga personat që kryejnë akte dhune, djegie dhe sulme ndaj punonjësve të Policisë.
Policia kërkon që asnjë pjesëmarrës të mos bëhet pjesë, të mos mbështesë dhe të mos lejojë që tubimi të përdoret si mbulesë për akte të dhunshme dhe shkatërruese.
Sipas Policisë së Shtetit, çdo person që ushtron dhunë, djeg apo shkatërron pronën, ose sulmon punonjësit e Policisë, mban përgjegjësi individuale dhe do të përballet me ligjin.
Në reagim theksohet se Kodi Penal parashikon dënime deri në shtatë vjet burgim për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr, varësisht nga rrethanat dhe pasojat e shkaktuara.
Policia ka paralajmëruar se veprimet e dhunshme dhe shkatërrimi i pronës me zjarr rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, si dhe pronën publike e private.
“Distancohuni menjëherë nga dhuna, largohuni nga personat që kryejnë akte të dhunshme dhe mos u përfshini në veprime që rrezikojnë jetën e njerëzve”, thuhet në reagim.
Policia e Shtetit ka theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna dhe shkatërrimi nuk janë pjesë e saj, duke shtuar se çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me vendosmëri.
Tensione të vazhdueshme raportohen nga protesta para Ministrisë së Arsimit, në ditën e saj të dytë. Nga ambientet e Ministrisë së Arsimi shihet tym e flakë, ndërsa protestuesit vijojnë të hedhin gurë në drejtim të godinës.