Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Berisha tha se krahasim ishte jo korrekt, Konomi: Po i kapeni pas çdo fjale shqiptarit që dha më së shumti për Kosovën

Gazeta10
20 October 2026 - 21:07

Ish-deputeti dhe veterani i luftës, Hisen Berisha, është përfshirë në një debat të drejtpërdrejtë me gazetarin Arjan Konomi, gjatë diskutimit për deklaratën e këtij të fundit rreth protestave në Shqipëri dhe krahasimit që nxiti reagime në opinion.

Berisha e cilësoi krahasimin si të pasaktë, duke argumentuar se rrethanat politike dhe historike të Kosovës gjatë viteve të luftës nuk mund të krahasohen me situatën aktuale në Shqipëri.

“Krahasimi ka qenë jokorrekt, sepse kemi të bëjmë me krahasimin e regjimeve. Nëse atëherë protesta është dukur paqësore, në shpirtin tonë ka qenë e ndezur shkëndija e luftës. Regjimi atëherë të ka vrarë menjëherë”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se, pavarësisht respektit për revoltën qytetare në Shqipëri, nuk sheh bazë për të bërë një krahasim të tillë mes situatës së sotme dhe përvojës së Kosovës nën regjimin e atëhershëm.

“Për protestën në Shqipëri, përkundër respektit të madh për revoltën qytetare dhe mirëkuptimit për institucionet e shtetit që duhet ta mbrojnë rendin, nuk shoh gjuhë që e krahason një klasë politike dhe institucionet me një protestë qytetare”, u shpreh ai.

Pas këtyre deklaratave, Konomi ndërhyri duke kundërshtuar qëndrimin e Berishës dhe duke i kërkuar atij të mos e interpretonte deklaratën e tij si një përpjekje për të barazuar protestën në Shqipëri me luftën në Kosovë.

“E di që ju dhimbset Rama, që e kuptoni qeverisjen e tij, por unë nuk jam dakord me ju. Kam qenë në protestë dhe, në një moment, edhe unë isha i traumatizuar. Më kanë ndalur këta djem”, tha Konomi.

Gazetari kërkoi që deklarata e tij të mos shkëputet nga konteksti, duke theksuar se nuk kishte për qëllim të lëndonte askënd, aq më pak shqiptarët që kanë kontribuar për Kosovën.

“Mos më merrni me çdo llaf e fjalë, sidomos kur bëhet fjalë për një shqiptar që ka dhënë për Kosovën më shumë se çdokush tjetër”, deklaroi Konami.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.