
Organizata “Qika” ka zhvilluar sot një aksion simbolik në shkallët e Qeverisë, ku ka hedhur ngjyrë të kuqe në shenjë proteste ndaj dështimit institucional për ta mbrojtur Arlinda Zekajn, e cila u vra pavarësisht se kishte kërkuar ndihmë dhe kishte siguruar urdhër mbrojtjeje.
Përmes këtij aksioni, aktivistet e “Qikës” kanë ngritur zërin kundër neglizhencës institucionale dhe kanë kërkuar hetimin e të gjitha hallkave përgjegjëse për dështimin në mbrojtjen e saj.
“Ngjyra e kuqe që e hodhëm sot në shkallët e Qeverisë është akuzë. Është kujtesë e jetëve të humbura dhe e përgjegjësisë që shteti duhet të mbajë”, thuhet në reagimin e organizatës.
Aktivistet kanë theksuar se rasti i Arlindës ngre pyetje serioze për efektivitetin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e grave që përjetojnë dhunë. Ato kanë kërkuar që të gjithë personat që mund të kenë kontribuuar, përmes veprimeve apo mosveprimeve të tyre, në dështimin për ta mbrojtur atë, të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë.