Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti: Arlinda kërkoi, por nuk e mori mbrojtjen që i duhej për të mbetur gjallë – çdo shkelje të zbardhet

Gazeta10
26 October 2026 - 18:28

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar hetim të plotë dhe të menjëhershëm për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke theksuar se viktima kishte paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj vetëm tri ditë para se të vritej.

Duke folur në Kuvend, Kurti ka thënë se Arlinda Zekaj nuk e mori mbrojtjen që i nevojitej për të shpëtuar jetën.

“Një bashkëqytetare e jona kërkoi, por nuk e mori mbrojtjen që i duhej për të mbetur gjallë. Arlinda Zekaj u vra dje. Vrasja mizore e Arlinda Zekajt është tronditëse për të gjithë ne”, ka deklaruar Kurti.

Ai përmendi se si tri ditë para vrasjes, Arlinda i ishte drejtuar Prokurorisë, duke paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj.

Sipas Kurtit, këto rrethana kërkojnë hetim të plotë dhe të menjëhershëm, ndërkohë që i dyshuari për vrasjen vazhdon të jetë në arrati.

Ndër të tjera, kryeministri ka kërkuar që prokuroria dhe institucionet përgjegjëse të sqarojnë se si janë trajtuar denoncimet e viktimës dhe pse paralajmërimi për rrezikun ndaj jetës së saj nuk u pasua me masa konkrete mbrojtëse.

“Çdo shkelje duhet të zbardhet”, ka theksuar Kurti nga foltorja e Parlamentit.

 

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.