
Qëndresa Hyseni nga Kolektivi për Veprim Feminist ka thënë se përfaqësuesit e partive politike nuk do të lejohen të bëhen pjesë e protestës së nesërme, e cila organizohet pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.
Duke folur sonte në emisionin “Politiko” në Kanal 10, tha se ky rast tashmë edhe po përdoret politikisht.
“Është shumë e dhimbshme t’i shohësh personat që vijnë nga partitë politike, se si arrijnë ta kapin një ngjarje kaq tragjike dhe të tentojnë të marrin vota e kapital social përmes saj”, ka deklaruar Hyseni.
Ajo ka theksuar se protesta është e hapur për qytetarët dhe se organizatorët presin mobilizim të gjerë, por jo pjesëmarrje të personave që janë pjesë e partive politike, qoftë në pushtet apo në opozitë.
“Jeni të mirëseardhur dhe presim mobilizim prej krejt qytetarëve, por jo të personave që janë në parti politike. Nuk do t’i pranojmë brenda protestës. Asnjë person që është në parti, qoftë në pozitë apo opozitë, nuk lejohet”, është shprehur ajo.