
Avokati Taulant Hodaj, në një lidhje direkte në emisionin “Politiko”, ka komentuar suspendimet e zyrtarëve policorë dhe të prokurorëve lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Hodaj i ka cilësuar suspendimet si një zhvillim të rëndësishëm, veçanërisht në rastin e prokurorëve, duke theksuar se është hera e parë që Këshilli Prokurorial ndërmerr një masë të tillë për shkak të dyshimeve për mosveprim në përputhje me ligjin dhe rregullat e punës.
“Sot i patëm disa suspendime nga Këshilli Prokurorial, me propozim të kryeprokurorit, si dhe disa policë. Pa dyshim që është lajm dhe një gjë e mirë që ka ndodhur, sidomos me prokurorin, sepse është rasti i parë që në Këshillin Prokurorial suspendohen për shkak të mospunës së tyre në përputhje me ligjin dhe rregullat e punës”, ka deklaruar Hodaj.
Megjithatë, avokati ka vlerësuar se masat nuk duhet të përfundojnë vetëm me suspendime, duke ngritur shqetësimin për efektivitetin e tyre dhe përgjegjësinë e zyrtarëve të përfshirë.
Ai ka përmendur edhe rastet kur, sipas tij, një pjesë e madhe e zyrtarëve të suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës janë kthyer në punë pa u ndërmarrë masa konkrete ndaj tyre.
“Por nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e suspendimit. Nga praktika, mbi 95 për qind e të suspenduarve nga IPK-ja janë kthyer në punë pa u përcjellë me masa konkrete. Ata është dashur të jepnin dorëheqje, e jo të prisnin suspendimin”, është shprehur Hodaj në “Politiko”.