
Drilon Gashi, ish-këshilltar i Glauk Konjufcës për një periudhë kur tani ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës shërbente si kryetar i Kuvendit, ka shkruar një postim në Facebook, duke treguar se ka përfunduar duke shtruar pllaka në Gjermani për shkak të, siç thotë vetë, mungesës së perspektivës në Kosovë.
Ai tha se s’po shkruan “për t’u viktimizuar, por për të treguar një të vërtetë që shumë shqiptarë e jetojnë në heshtje”.
“Kam kaluar rreth 25 vjet të jetës duke studiuar teologji, filozofi dhe shkenca humane. Kam shërbyer si imam, kam punuar këshilltar i Kryekuvendarit, kam vazhduar studimet në Psikoterapi dhe jam përpjekur të ndërtoj një jetë me dije e punë të ndershme. Por sot, në moshën 39-vjeçare, jam këtu, në Baushtellë, duke vendosur pllaka, duke bartur kova e duke punuar me duart e mia…”, ka shkruar ai ndër tjerash.
Postimi i tij:
NË NJËRËN DORË DIPLOMAT, NË TJETRËN MJESTRINË ME LLAÇ!
Po ju shkruaj nga një Baushtellë ndërtimi në Gjermani.
Jo për t’u viktimizuar, por për të treguar një të vërtetë që shumë shqiptarë e jetojnë në heshtje.
Kam kaluar rreth 25 vjet të jetës duke studiuar teologji, filozofi dhe shkenca humane. Kam shërbyer si imam, kam punuar këshilltar i Kryekuvendarit, kam vazhduar studimet në Psikoterapi dhe jam përpjekur të ndërtoj një jetë me dije e punë të ndershme.
Por sot, në moshën 39-vjeçare, jam këtu, në Baushtellë, duke vendosur pllaka, duke bartur kova e duke punuar me duart e mia…
Jo sepse më vjen turp nga kjo punë. Përkundrazi!
Puna nuk e poshtëron njeriun. Por njeriun mund ta dërrmojë një jetë e tërë përpjekjesh pa siguri dhe pa asnjë perspektivë.
Kam konkurruar në rreth 60 vende pune në Kosovë. Kam trokitur në dyer institucionesh, kompanish dhe njerëzish me ndikim. Kam përjetuar refuzime, premtime të pambajtura dhe zhgënjime të njëpasnjëshme.
Kam punuar edhe për 500–600 euro, në kushte ku ndonjëherë mungonin edhe tualetet për punëtorët.
Nuk pretendoj se në çdo konkurs më është bërë padrejtësi. As se çdo dështim imi është faj i dikujt tjetër. Kam edhe unë përgjegjësinë time për vendimet që kam marrë…
Por a duhet që njeriu të mbetet pa shpresë vetëm pse nuk ka arritur të gjejë vendin e vet në tregun e punës?
Me katër fëmijë, me detyrime bankare dhe përgjegjësi familjare, erdhi një ditë kur nuk mund të prisja më.
Mora rrugën e mërgimit.
Dhe këtu, mes pluhurit, çimentos dhe lodhjes fizike, më është kthyer vazhdimisht një pyetje:
A thua çfarë duhet të bëjë më shumë një qytetar që të ketë mundësi të jetojë me dinjitet në vendin e vet?
Sot nuk po flas vetëm për veten.
Po mendoj për punëtorin që nuk ka sigurim.
Për të diplomuarin që dorëzon aplikimin e pesëdhjetë.
Për prindin që nuk di si ta paguajë këstin e ardhshëm.
Për nënën që pret fëmijën t’i kthehet nga mërgimi.
Për familjet që e kanë kthyer ndarjen në çmimin e mbijetesës ekonomike.
Dhe po pyes institucionet tona, qeveritë e djeshme dhe të sotme:
Ku është përgjegjësia ndaj këtyre njerëzve?
Sa të besueshme janë mundësitë për punësim? Sa mbrohen të drejtat e punëtorëve?
Sa funksionojnë institucionet për qytetarin e zakonshëm?
Ne shqiptarët kemi kaluar shumë dhunë, varfëri e padrejtësi gjatë historisë. Por kjo nuk do të thotë se duhet të pajtohemi me çdo vështirësi të së tashmes.
Durimi është virtyt. Heshtja përballë padrejtësisë nuk është gjithmonë durim!
Nuk kërkoj që shteti të më japë punë pa meritë. Nuk kërkoj mëshirë.
Kërkoj që puna të vlejë, merita të ketë kuptim dhe qytetari të mos ketë nevojë për ndërmjetës politik për t’u dëgjuar.
Dhe mbi të gjitha, nuk dua që fëmijët tanë të rriten me bindjen se suksesi kërkohet patjetër jashtë Kosovës.
Sot këto duar që dikur shfletonin libra të filozofisë e teologjisë, mbajnë vegla ndërtimi.
Nuk e mohoj asnjërën pjesë të jetës sime.
Nuk jam bërë më pak i vlefshëm pse punoj në ndërtim. Por as vitet që ia kushtova dijes nuk i konsideroj të pavlefshme vetëm pse nuk arrita t’i kthej në mirëqenie ekonomike.
Unë ende e dua Kosovën. Ende dua të besoj në të.
Por dashuria ndaj atdheut nuk duhet të na ndalojë t’ia themi të vërtetat që na dhembin.
Sepse atdheu nuk është vetëm vendi për të cilin jemi të gatshëm të sakrifikojmë.
Atdheu duhet të jetë edhe vendi ku kemi mundësi të jetojmë, të punojmë dhe t’i rrisim fëmijët me dinjitet.
Këtë herë nuk po flas nga një foltore, nga një studio televizive apo nga një zyrë.
Po flas nga Baushtella.
Dhe ky është zëri im.
Drilon Gashi
Gjermani, 1 nëntor 2026