
Iliana Iotova duket se po shkon drejt fitores në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të së dielës, me sondazhet në dalje që i japin asaj 51% të votave.
Kundërshtari i saj, ish-kryeministri i përkohshëm pro-perëndimor Andrey Gyurov, renditet pas saj me 44,7%, sipas agjencisë së sondazheve Myara.
Iotova, e cila shërbente si zëvendëspresidente, mori automatikisht detyrën e presidentes në janar, pasi Rumen Radev dha dorëheqjen për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Iotova, e mbështetur nga partia në pushtet e qendrës së majtë “Bullgaria Progresive”, gjatë fushatës zgjedhore bëri thirrje në mënyrë të përsëritur për një zgjidhje paqësore për Ukrainën përmes negociatave me Rusinë, duke deklaruar se dëshiron të jetë një “presidente e paqes”.
Gyurov, i cili mbështetet nga kampi opozitar liberal-konservator, gjatë fushatës theksoi nevojën për një afrim më të madh me partnerët perëndimorë, si dhe për një mbështetje më të fortë për Ukrainën.
Rreth 6.5 milionë bullgarë kishin të drejtë vote.
Sipas sondazheve, pjesëmarrja në votime arriti në 29% pak para mbylljes së qendrave të votimit në orën 20:00, një shifër kjo më e lartë se ajo e raundit të parë para një jave.