
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ambasadorin francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, si dhe përfaqësues të organizimit të Lojërave Olimpike “Paris 2024” dhe të organizatës France Sport Expertise, me të cilët ka diskutuar për përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit janë diskutuar çështje që lidhen me bashkërendimin institucional, infrastrukturën e nevojshme dhe planifikimin e organizimit të këtyre lojërave.
“Morëm këshilla për veprimet dhe vendimet që duhet t’i kemi prioritet, përfshirë qeverisjen dhe menaxhimin, planifikimin e prokurimit dhe zbatimin”.
Kurti ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përcaktimit të afateve, ndarjes së përgjegjësive, kostove dhe burimeve të financimit.
Sipas tij, Franca është partnere e rëndësishme për organizimin e “Prishtina 2030”, ndërsa ka përmendur marrëveshjen e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për lojërat, si dhe Deklaratën e Synimit për themelimin e Komitetit të përbashkët, të nënshkruara në fund të korrikut.