
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës dhe orientimi i saj në politikën e jashtme janë elemente të rëndësishme që duhet të merren parasysh në raportet me këtë shtet.
Në emisionin “Politiko” në Kanal10, ajo ka thënë se duhet të sqarohet nëse qeveria e re serbe synon të vazhdojë orientimin e deritashëm të politikës së jashtme, të afërt me Rusinë, apo të orientohet drejt Bashkimit Evropian.
Sipas saj, nëse Serbia vazhdon të njëjtën qasje ndaj Rusisë, Bashkimi Evropian duhet të reagojë dhe të ndërmarrë veprime konkrete.
Ndërkaq, Kryeziu-Hyseni ka theksuar se edhe në rast të një orientimi të ri të Serbisë drejt BE-së, mbetet e pazgjidhur çështja e sulmit terrorist në Banjskë.
Ajo ka konsideruar problematike zhvillimin e dialogut me Serbinë, përderisa ky shtet nuk e nxjerr para drejtësisë përgjegjësin për sulmin në Banjskë.
“Është problematike të dialogohet me një shtet i cili nuk e nxjerr para drejtësisë përgjegjësin e një sulmi terrorist brenda Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kryeziu-Hyseni në Kanal10./Gazeta10